Impianti i Trajtimit të Mbetjeve Urbane në Elbasan është në funksion të plotë dhe çdo ditë trajton rreth 120 tonë mbetje urbane të 7 bashkive të qarkut.
Pas një remonti rutinë, në këtë impiant ka nisur puna e cila konsiston në selektimin dhe më pas djegien e mbetjeve, proces nga i cili prodhohet energji.
Teksa inceneratorët duket se janë kthyer në kryefjalë të akuzave politike, kryetari i Bashkisë së Elbasanit kujton kohën kur mbetjet urbane digjeshin duke helmuar gjithë qytetin.
“Kemi dëgjuar këtë periudhë që inceneratori nuk bën, që është një rrangallë. Në fakt, inceneratori sot është në punë pas një remonti që është bërë, është në funksion të plotë. Trajton mbetjet me incenerim. Kemi dëgjuar akuza të ndryshme nga mëkëmbësit e foltores në Elbasan, nga mëkëmbësit e ricikluar të foltores, që harrojnë që impianti është në punë. Ne nuk e harrojmë asnjëherë se si kanë qenë trajtuar mbetjet në Elbasan dhe si trajtohen sot”, thotë kreu i Bashkisë së Elbasanit dhe kandidat i socialistëve për një tjetër mandat në këtë bashki", Gledian Llatja.
Në vitin 2016, Elbasani ishte e para bashki e cila i dha një zgjidhje përfundimtare problemit të trajtimit të mbetjeve urbane. Më herët mbetjet digjeshin fare pranë qytetit, çka detyroi Këshillin Bashkiak të shpallte gjendjen e emergjencës mjedisore.
Tashmë impianti administrohet nga 7 bashkitë e qarkut si një shoqëri aksionere e cila i shërben gjithë qarkut. Bashkia e Elbasanit, si bashkia më e madhe e qarkut gëzon shumicën e aksioneve të shoqërisë së krijuar.