
Protesta e 18-të radhazi mori këtë të mërkurë një dimension të ri vizual dhe simbolik, teksa qindra qytetarë marshuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mes një deti flamingosh rozë dhe një instalacioni gjigant në formën e shpendit që është kthyer në simbol të lëvizjes.
Atmosfera para Kryeministrisë u dominua nga dekoracioni i ri i protestuesve, të cilët mbushën sheshin me qindra silueta flamingosh të ngritura mbi shtiza, ndërsa në qendër të marshimit qëndronte një flamingo e madhe me krahë të hapur, e shoqëruar nga muzikë, daulle dhe thirrje kundër qeverisë.
Organizatorët e konsideruan këtë paraqitje si një simbol të rezistencës qytetare dhe një reflektim të asaj që e cilësuan si “fitore politike dhe morale” pas votimit në Parlamentin Europian të një amendamenti që shpreh shqetësim për zhvillimet në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Pamjet e flamingove rozë që mbuluan bulevardin krijuan një nga momentet më të veçanta të protestave të deritanishme, duke e shndërruar marshimin në një kombinim mes manifestimit politik dhe performancës artistike publike.
Për protestuesit, flamingoja nuk përfaqëson më vetëm një specie të mbrojtur të lagunës së Nartës, por është kthyer në simbol të kundërshtimit ndaj ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe të kërkesës për respektimin e standardeve mjedisore evropiane.