Reforma Territoriale/ Prrenjasi sërish në protestë kundër bashkimit me Librazhdin

31 July 2026, 20:42Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Reforma Territoriale/ Prrenjasi sërish në protestë kundër
Prrenjasi vijon protestën kundër bashkimit me Bashkinë Librazhd

Për të dytën herë qindra qytetarë të Prrenjasit janë mbledhur sërish  në qendër të qytetit për të kundërshtuar bashkimin e mundshëm me Librazhdin, duke paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga mbrojtja e identitetit dhe statusit të bashkisë së tyre.

Reforma territoriale ka nxjerrë në protestë edhe banorët e Bashkisë Dimal.

Të mbledhur në pedonalen e qytetit dhe me pankarta në duar, qytetarët kanë kërkuar që qeveria të mos e përfshijë Dimalin në ndryshimet e parashikuara nga reforma territoriale.

Protestuesit u shprehën se Dimali është vendi ku kanë zgjedhur të jetojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre, duke theksuar se bashkia është një nga zonat me prodhimin më të madh bujqësor në vend.

Sipas tyre, Dimali nuk duhet të preket nga reforma, jo vetëm për shkak të shtrirjes territoriale dhe numrit të popullsisë, por edhe për vlerat historike dhe trashëgiminë që mbart.

Banorët argumentuan se një bashkim i mundshëm me Bashkinë Berat do t’ua vështirësonte jetën dhe aktivitetin ekonomik, veçanërisht fermerëve të njësive administrative Kutalli, Cukalat dhe Poshnjë.

Qytetarët gjithashtu nënshkruan edhe një peticion kundër reformës territoriale.

Edhe qytetarët Klosit u mblodhën në qendër të qytetit për të protestuar kundër projekt-hartës së re administrativo-territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.

Protesta nisi që në orët e paradites, ndërsa administrata e Bashkisë Klos bojkotoi punën për disa orë në shenjë kundërshtimi ndaj projektit. Protestuesit kërkuan që Klosi të ruajë statusin e bashkisë më vete, duke kundërshtuar një vendimmarrje që, sipas tyre, është marrë pa një konsultim të gjerë me komunitetin.


Video