
Kryeministri Edi Rama ka replikuar me organizatën Reporterë pa Kufij lidhur me vlerësimet për lirinë e medias në Shqipëri, pas publikimit të indeksit më të fundit ku vendi renditet i 83-ti, duke shënuar rënie nga një vit më parë.
Debati nisi pasi Rama ndau një raport të programit SIGMA të OECD, në të cilin Agjencia për Media dhe Informim (MIA) vlerësohej për standardet dhe shërbimin ndaj mediave dhe publikut.
Në reagim, Reporterët pa Kufij theksuan se vlerësimi i tyre nuk lidhet me komunikimin qeveritar, por me lirinë e shtypit, duke përmendur si shqetësime sulmet politike, mungesën e transparencës dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.
“Ne masim lirinë e shtypit, jo komunikimin qeveritar. Renditja e Shqipërisë në vendin e 83 (-3) në indeksin e 2026 reflekton sulme politike, abuzim me organet e zbatimit të ligjit, transparencë të ulët në media dhe kërcënime ndaj gazetarëve”, thuhet në reagimin e Reporterëve pa Kufij.
Në përgjigjen e tij, Rama kundërshtoi qasjen e organizatës, duke sugjeruar se duhet të mbështetet më shumë në analiza profesionale dhe në raporte të tjera ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, japin një panoramë ndryshe për raportin mes qeverisë, medias dhe publikut në vend.
Kryeministri vuri në dukje se ekzistojnë mospërputhje mes vlerësimeve të Reporterëve pa Kufij dhe institucioneve të tjera.
Ai solli në vëmendje edhe rolin e Agjencisë për Media dhe Informim, duke e cilësuar atë si një instrument pozitiv për rritjen e transparencës dhe aksesit në informacion.
“Nuk thashë kurrë që ju e matni komunikimin qeveritar, por tani që e përmendni, po mendoj: a nuk është ndoshta një ide e mirë që të lexoni raportet e atyre që e bëjnë vërtet, dhe ta bëni këtë në mënyrë profesionale dhe objektive?
Mund t’ju ndihmojë, sepse dalin kontradikta të rëndësishme midis vlerësimeve tuaja dhe të tyreve kur bëhet fjalë për marrëdhënien midis qeverisë, medias dhe publikut në një vend të lirë si Shqipëria, ku, ndryshe nga ajo që pretenduat dikur, dhe më shumë se një herë, Agjencia e Informacionit për Median duket se ka qenë një ide shumë e mirë në shërbim të lirisë së informacionit. Kaq është gjithçka”, përgjigjet Rama.