
Teksa ka mbërritur më Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian, kryeministri Edi Rama ka marrë vesh lajmin për vdekjen e dy fëmijëve në Durrës.
Në një postim në platformën X, kreu i qeverisë shpreh keqardhjen për ngjarjen e rëndë, ndërsa i bashkohet lutjes për shërimin e fëmijës së tretë, i cili ndodhet në spitalin e Traumës. Mësohet se i mituri ndodhet në gjendje të rëndë. Të miturit ishin të gjithë të moshës 10 vjeçare.
“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve.
Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital”, shkruan Rama.
Ai ndërkohë, ka kërkuar nga mediat të përmbahen.
“Ndersa i gjithe vendi eshte ne pikellim per kete ngjarje dhe drejtesia ben punen e saj me autorin, është detyrë e të gjithëve po veçanërisht e mediave e portaleve, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.
Publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe e hienizon botën e informacionit.
Respekti për dinjitetin njerëzor dhe dhimbjen e familjeve duhet të jetë mbi çdo sensacion apo klikim. Le të tregojmë solidaritet, humanizëm dhe njerzillëk në një ditë tragjike si kjo”, shkruan ai.