Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë fjalimit të tij para Asamblesë Kombëtare se Partia Socialiste nuk ka hyrë asnjëherë në çështjet e drejtësisë.
“Ama duhet thënë që në fillim sa më qartë atë që besoj duhet të ndajmë të gjithë së bashku mbi çështjen e drejtësisë dhe raportin tonë me të. Ne PS nuk kemi hyrë në asnjë rast dhe për asnjë rast në meritën e një çështjeje të drejtësisë, aq më tepër kur drejtësia nuk e ka thënë dreri në fund fjalën e saj. Nuk e kemi bërë këtë dhe nuk do ta bëjmë asnjëherë, duke bërë avokatin e kujtdo ndër njerëzit e kësaj familjeje të madhe politike që hetohet apo ndalohet nga policia, edhe kur mund të mos na duket e drejtë. Nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi për sa kohë unë do jem në krye, asnjë pendesë për lirinë dhe për pavarësinë që i kemi dhënë drejtësisë me reformën në drejtësi dhe mbi të gjitha me tërheqjen historike të pushtetit të shumicës, nga fusha e pushtetit gjyqësor. Përmes reformës i kemi larguar me vetëdije të plotë duart e ekzekutivit nga çdo proces seleksionimi, zgjedhjeje, promovimi, apo shkarkimi i prokurorëve dhe i gjykatësve dhe po ashtu nga çdo lloj forme kontrolli mbi aktivitetin e tyre”, tha Rama.
Megjithatë Rama pati kritika ndaj SPAK-ut dhe GJKKO.
“Nuk do lëkundemi as sot pavarësisht faktit të njohur botërisht se përtej arritjeve të padiskutueshme pushteti i ri i drejtësisë shfaq hera herës shenja të sëmundjes së vjetër. Ato dëmtojnë shëndetin e organizmit demokratik të vendit. Pushteti i drejtësisë mban ende në radhët e veta prokurorë dhe gjykatës, jo pak, dritëshkurtër, mendjengushtë dhe nganjëherë me mungesë ulëritëse integriteti. Ndërkohë që qeverisja e pavarur e sistemi reagon sikur fle në këmbë”, tha Rama.