Qëlloi me armë zjarri drejt makinës ku udhëtonin 3 shtetas, kapet pas tre muajsh autori 30-vjeçar i atentatit në Fllakë

30 August 2025, 12:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qëlloi me armë zjarri drejt makinës ku udhëtonin 3 shtetas,
Momenti i arrestimit

Pas tre muajsh në arrati, Policia e Tiranës ka bërë të mundur kapjen e një personi të shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.

30-vjeçari Kid Kazazi është arrestuar nga policia mesditën e kësaj të shtune në “Komunën e Parisit”, si autor i dyshuari një ngjarje të ndodhur më 30 maj të këtij viti në Fllakë, të qytetit të Durrësit.

Pas një konflikti për motive të dobëta, 30-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti ku udhëtonin tre persona.

Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

“Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, është lokalizuar dhe kapur shtetasi K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. 30-vjeçari, me datë 30.05.2025, në Fllakë, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti ku udhëtonin 3 shtetas”, njoftojnë blutë e Tiranës.

Në prangat e policisë ka rënë gjithashtu edhe 31-vjeçar, pasi dyshohet se ka përkrahur dhe ndihmuar 30-vjeçarin të fshihej. Ndërkohë policia ka sekuestruar dy dokumente identifikimi të falsifikuara, municion luftarak dhe një automjet.

“Në momentin e ndalimit 30-vjeçari i ka paraqitur  punonjësve të policisë dy dokumente identifikimi (kartë Id dhe leje drejtimi) me të dhënat e një shtetasi tjetër, të dyshuara të falsifikuara. Ndërsa, gjatë kontrollit fizik 31-vjeçarit i gjetën një sasi municioni luftarak”, njofton më tej policia.


Video