Një protestë kundër arrestimit të ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj është zhvilluar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Një prej protestuesve tha se Goxhaj nuk duhet të, pasi ai nuk ka bërë asnjë lloj krimi. Po sipas tij, Goxhaj ka mbrojtur të drejtat e shqiptarëve gjatë asaj kohe.
“Për të gjithë ata që kanë në dorë për Dritanin, mos ta ekstradojnë. Ky është një persekutim i hapur për të gjithë shqiptarët, që luftuan kundër armiqve. Të ketë meritë për Dritan Goxhaj, duhet të mbrohen të drejtat e kombit shqiptar, ato që na i kanë dhunuar në emër të demokracisë. Drejtësia është e barabartë për të gjithë. Nuk ka bërë asnjë lloj krimi, por vullnetarisht ka marrë pjesë në mbrojtje të të drejtave”, tha një prej protestuesve.
Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik nga Policia e Tiranës, për llogari të Gjykatës Speciale të Kosovës, me zyra në Hagë. Mbi të rëndojnë dy akuza, ajo e “Frikësimit gjatë procedurës penale” dhe “Pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave”.
Protesta e thirrur nga grupi “Krahu i Shqiponjës”, kërkon lirimin e ish-luftëtarit të UÇK-së dhe mos-ekstradimin e tij drejt Hagës, në Dhomat e Specializuara.
Avokati i Goxhajt, Bashkim Nikolla e ka cilësuar si vendim me prapavijë politike arrestimin e klientit të tij, ndërsa shton se ai është i pafajshëm.