Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori do të protestojë sot në orën 18:00 te parku pas Teatrit të Operës dhe Baletit.
Kjo protestë do të mbahet, pasi ky park është rrethuar dhe pritet që të kthehet në kantier ndërtimi për një kullë plot 58 kate. Ky është objekti më i lartë i miratuar deri tani në kryeqytet, duke iu shtuar pesë kullave të tjera në qendrën e Tiranës.
Kompania ndërtuese do të jetë Nova Construction 2012. Studio arkitekturore daneze Cebra ka ideuar ndërtesën me 58 kate mbi tokë dhe 7 të tjera nën tokë.
“LARG DUART NGA PARKU! Tiranës po i zhduket një nga parqet e fundit, ai që shtrihet midis pallateve 9-Katëshe dhe Teatrit të Operës dhe Baletit. Dhuna e betonit nuk ka të ndalur. Pushtetarë të korruptuar dhe oligarkë të pangishëm po na lenë pa një prej hapësirave të fundit publike e të gjelbra që i kanë mbetur qytetit. Po ne, qytetarët e Tiranës, jemi më të fuqishëm se pushteti dhe miliardat e tyre.
Ndaj Lëvizja BASHKË u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohemi në një protestë të fuqishme sot në orën 18:00 në vendin e krimit ndaj qytetit. Takohemi te parku ynë!”, deklaroi Lëvizja Bashkë.