
Partia Demokratike do të mbajë nesër 10 shkurt, protestën e tretë kombëtare, përpara Kryeministrisë.
Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, Policia e Tiranës ka njoftuar masat që do të ndërmerren për këtë protestë që do të nisë në orën 17:00.
Në zbatim të këtyre masave, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore kryesore të kryeqytetit, duke nisur që prej orës 23:45 të ditës së sotme.
Njoftimi:
Tiranë/Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 17:00, para Kryeministrisë.
Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Policia e Tiranës i ben thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.
Në një konferencë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha njoftoi datën e protestës së radhës, më 10 shkurt në orën 17:00. Kjo do të jetë protesta e tretë kombëtare e opozitës, pas asaj të 24 janarit, e cila u mbyll me përplasje dhe akte dhune mes protestuesve dhe forcave të rendit, ku 11 efektivë mbetën të lënduar dhe 18 persona u shoqëruan në Komisariat.
Opozita zhvilloi protestën e parë kombëtare më 22 dhjetor 2025, tubim i cili u shoqërua edhe me tensione, ku në përfundim të fjalimit mbyllës të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, protesuesit hodhën molotovë drejt kryeministrisë dhe hoqën gardhin metalik. Një qytetar u përfshi nga flakët dhe një efektiv policie u plagos.