Policia gjen në veri të Kosovës armatime dhe simbole ekstremiste serbe

2 Shtator 2025, 20:02Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në veri të vendit, konkretisht në fshatin Jashanicë të komunës së Leposaviqit, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme armësh dhe materialesh me simbole nacionaliste serbe.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për mediat se operacioni është ndërmarrë pas informacioneve të marra nga Njësitet e Policisë Kufitare.

“Rreth orës 12:00 kemi marrë njoftim nga Njësitet e Policisë Kufitare se në një lokal në zonën e Leposaviqit po shiten pije, bluza me logo dhe simbole nacionaliste, thika, elektroshok dhe sende të tjera të ndaluara,” ka deklaruar Elshani.

Sipas mediave kosovare, lokali ku u gjetën mallrat e kontrabanduara është tashmë në duart e autoriteteve, ndërsa hetimet janë në vazhdim për të identifikuar personat përgjegjës dhe rrjetin e mundshëm të shpërndarjes së këtyre materialeve.


Video