Policia del me njoftim zyrtar, sqaron si ndodhi atentati në Shkodër: Dy viktima dhe dy të plagosur rëndë (EMRAT)

30 Tetor 2024, 17:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia Shkodër / Pamje nga atentati

Policia e Shkodrës ka dhënë informacion zyrtar për atentatin me dy viktima dhe dy të plagosur në Dobraç të Shkodrës.

Sipas policisë, autorët kanë qëlluar në drejtim të makinës ku ndodhej Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Në këtë moment, dyshohet se makina e tyre ka humbur kontrollin dhe ka përplasur një çif që udhëtonin me motor te rrethrrotullimi i “5 Heronjve” në Dobraç.

Nga plumbat e atentatorëve ka vdekur Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, si dhe ka mbetur i plagosur rëndë Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit për kryetar bashkie të PD-së Xhemal Bushati.

Ndërsa nga përplasja e motorit nga makina e viktimave, ka humbur jetën shtetasja Flutura Basha, dhe ka mbetur i plagosur rëndë bashkëshorti i saj, Bashkim Basha.

Të plagosurit po trajtohen në spitalin  e Shkodrës, dhe ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Sakaq, policia thotë se forcat speciale RENEA janë angazhuar për lokalizimin e autorëve.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:

Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B.

Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e rimeve të Rënda

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Video