Plagosja te parkingu i “Megatek”, arrestohet një person, autori ende në kërkim (EMRAT)

17 Tetor 2025, 08:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Megatek

Zbardhet plagosja e djeshme në parkimin e qendrës tregtare “Megatek”.

Policia ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

Mësohet se në pranga është vënë Josif Mena, vëllai i autorit dhe pronari i makinës me të cilën u larguan autorët, ndërsa në kërkim vijon të jetë vëllai i tij (autori), me inciale G.M. 32 vjeç nga Domja. 

Në mjetin e autorëve u gjet një gëzhojë, ndërsa në banesën e njërit prej tyre u gjet arma e zjarrit.

Sipas të dhënave dhe dëshmive të marra, sherri mes të rinjve ishte i çastit dhe motive banale.

Nga të shtënat mbeti i plagosur në këmbë Fabjo Arifaj dhe u dëmtua me sende të forta shoku i tij Grisjan Latifaj.

Njoftimi i Policisë

Vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në hyrje të Domjes, ku u plagos me armë zjarri një 26-vjeçar.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 32-vjeçar, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, 26-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Arrestohet vëllai i 32-vjeçarit, pasi iu gjet në banesë dhe u sekuestruan, 1 armë zjarri pistoletë, municion, 2 radio policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.

26-vjeçari vijon të marrë mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në hyrje të Domjes, ku u plagos me armë zjarri një 26-vjeçar, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes, shtetasin:

-G. M., 32 vjeç, banues në Domje.

Gjithashtu, u arrestua vëllai i 32-vjeçarit, shtetasi J. M, 36 vjeç, pasi në vijim të veprimeve hetimore, u krye kontroll në banesën e tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri, municion luftarak, 2 radio policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të saj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.


Video