
Një person që ka mashtruar mijëra qytetarë, shqiptarë dhe të Bashkimit Europian, ka futur “ushtrinë” e tij të sulmojnë investigimin e VoxNews. Në datën 15 tetor 2025, redaksia jonë denoncoi me dokumente veprimtarinë tepër të dyshimtë të Ermal Petit, një emër deri dje i panjohur dhe sot është shndërruar në një nga “oligarkët” në Shqipëri.
VoxNews shfletoi dokumente zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ku rezultoi se Peti në vitin 2024 fitoi vetëm 5 mijë euro nga firmat e tij të regjistruara, ndërkohë që me këto para ai arriti që të hapë një firmë të madhe ndërtimi dhe të fitojë një leje nga KKT-ja për ndërtimin e një fshati turistik.
Të dhënat janë të hapura, ku çdo organ tatimor apo ligjzbatues mund t’i verifikojë. Redaksia jonë denoncoi se Peti ishte një nga bosët e “Call Centerave”, por çuditërisht në QKB s’kishte asnjë gjurmë të biznesit të tij. Të dhënat që kemi siguruar flasin se bëhet fjalë për veprimtari tepër të dyshimtë të mashtrimit.
Dhe, disa orë pas publikimit të këtij investigimi, vetë “ushtria” e Ermal Petit ka faktuar në fakt të dhënat e VoxNews. Një mori komentesh kanë vërshuar në faqen e Instagramit dhe të rrjeteve sociale të redaksisë sonë. Por, këto mesazhe vetëm sa kanë konfirmuar të dhënat e publikuara. Ne faktuam me dokumente se Peti ka fitime të ligjshme minimale, ndërkohë që vepron në “të zezë”.
Madje, redaksia jonë denoncoi se pikërisht këto zyra të “Call Centerave” kanë mashtruar mijëra persona. Janë të njëjtët njerëz që sulmojnë VoxNews, duke bërë aludime dhe akuza tepër të rënda. Nëse ndonjëri nga komentuesit, apo edhe vetë Ermal Peti ka ndonjë indicie apo informacion për vepër penale në shkrimin e VoxNews, ai ka të drejtën të shkojë në gjykatë.
VoxNews është i gatshëm të përballet me këdo në institucionet e drejtësisë, ku do të paraqesë edhe të dhëna të tjera të veprimtarisë tepër të dyshimtë të Ermal Petit dhe të “ushtrisë” së tij. Ndaj, ne e ftojmë që ai t’i drejtohet gjykatës.
Për kujtesë të tij, apo të atyre që ai ka udhëzuar këtë sulm në rrjete sociale, ne po i rendisim disa të dhëna nga investigimi. Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, oligarku Ermal Peti ka të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit 3 kompani. Një me emrin e tij, person fizik Ermal Peti, të cilën e zotëron 100 %. E dyta është shoqëria “Ava Club” shpk, një shoqëri aksionere. Ermal Peti ka 34 % të aksioneve, 33 % i ka vëllai i tij Floriand Peti dhe 33 të tjera i ka Znj. Jonida Liçaj.
“Ava Club” ka publikuar bilancet e vitit 2024, ku rezultoi me një fitim prej 1.481.601 lekësh. Me këto 5 mijë euro ai themeloi firmën “Nikea Construction”, për të fituar tendera, koncesione apo për t’u shpallur investitor strategjik. Disa muaj pasi hapi kompaninë, Peti aplikoi pranë Këshillit Kombëtar të Territorit për ndërtimin e një fshati turistik. Me qindarkat e klubit të natës, Peti arriti të marrë një leje për ndërtimin e vilave me pishina në Sauk.
“Ka dyshime të forta se paratë e fituara nga aktivitete të paligjshme, siç janë Call Centerat, apo të ardhura të tjera tepër të diskutueshme, po investohen në ndërtime, njësoj siç veprojnë edhe individë të tjerë, disa të hetuar nga SPAK-u apo edhe nga Prokuroria e Tiranës” shkroi redaksia jonë.
VoxNews e fton vetë Petin, nëse është në Shqipëri, që të japë një replikë për të gjitha faktet që ne kemi renditur më sipër. Nëse nuk ka shkuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, redaksia jonë është e gatshme që t’i mundësojë një hapësirë për të folur, për të ballafaquar pikërisht dokumentet që ne i hulumtuam me të “vërtetën” e tij. Kjo është mënyra më e mirë për të hedhur dritë mbi aktivitetin e tij, dhe jo të “fshihet” pas qindra punëtorëve pas një tastiere, të cilët janë udhëzuar për të sulmuar në grup VoxNews.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.