
Më pak se një muaj, Kosova është tronditur nga dy raste ku infermiere apo mjek, kanë keqtrajtuar qytetarë në nevojë. Fillimisht ishte rasti në qendrën “Orenda” në Pejë ku infermieret e rrahën një të moshuar, kurse sot një rast i ngjashëm ndodhi në Gjilan. Atje logopedi Iljasa Fazliu abuzonte me një vajzë 5-vjeçare me autizëm.
Logopedi Iljasa Fazliu po dyshohet se është përfshirë në një keqtrajtim të një të mitureje në Gjilan. Një vajzë 5-vjeçare me autizëm, po dyshohet se është abuzuar psiqikisht nga Fazliu, gjatë një seance në klinikën private të këtij të fundit.
Gjithçka për këtë skandal e ka zbardhur një hulumtim i gazetës Insajderi. Këta të fundit kanë publikuar një audio-inçizim që dëshmonte për ofendimet, sjelljet e papranueshme dhe abuzimin që logopei Iljasa Fazliu ia bënte vajzës së mitur.
Në videon e publikuar ka gjuhë të papranueshme nga logopedi Fazliu, i cili në muajin shtator ishte emëruar si shef i shërbimit të logopedisë në QKUK.
”Plaq atje…Ik atje budallicë, ta q*ft bota nanen…ik aty… jepja bre topin q*ja nanen qaty… nalu ta q*ft dreqi nanen…çka po don çka, çka?… na e lodhe b**hen”. Me këto fjalë i drejtohet logopedi vajzës 5-vjeçare me autizëm.
Përveç mjekut, në video dëgjohet edhe një tjetër punëtore e ordinancës ku në një moment i drejtohet vajzës 5-vjeçare duke e quajtuar “rriqën”.
Skandali bëhet më i madh pasi Insajderi ka raportuar se nëna e vajzës, i ka paguar pikërisht këto ditë 250 euro, në mënyrë që vajza e saj të bëjë disa seanca tek ky logoped.
Pasi i kanë dëgjuar incizimet, familjarët e vajzës së mitur e kanë sulmuar fizikisht logopedin Iljasa Fazliu. Si pasojë, janë arrestuar dy persona, përderisa i arrestuar ka përfunduar edhe mjeku.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, dy prej tyre pasi që kanë sulmuar fizikisht të dyshuarin e tretë i cili është mjek, të cilit i kanë shkaktuar lëndime. I dyshuari i tretë është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprën trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe për shkak të sulmit ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.