Piramida e armatosjes së grupeve kriminale i shpëton SPAK-ut, dosja në Prokurorinë e Tiranës!

4 Shkurt 2026, 15:42Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gloris Nezaj, Rezarto Rumi dhe dy vëllezërit, Kelvin dhe Ardjan Caushi

Prokuroria e Tiranës ndërmori më 31 janar një operacion, që ccoi në prangosjen e katër personave.

Të arrestuarit ishin shtetasit Gloris Nezaj, Rezarto Rumi dhe dy vëllezërit, Kelvin dhe Ardjan Caushi.

Lajmi kaloi pa shumë bujë mes zhvillimeve të tjera të ditës, por edhe faktit dhe prirjes së mediave që lajmeve të ngjashme, por që vijnë nga SPAK u japin më shumë vëmendje.

Prokuroria e Tiranës shpërndau një ditë më vonë një njoftim ku thotë se “nga veprimet hetimore është dokumentuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, furnizonin me armë zjarri grupe kriminale që vepronin kryesisht në qarkun e Tiranës dhe se është provuar roli i secilit prej tyre, që nga sigurimi i pjesëve të armëve të zjarrit, magazinimi, përshtatja dhe më pas shitja e tyre”.

Sipas këtij njoftimi, katër personat vepronin si një grup i strukturuar kriminal, ku secili anëtar kishte të ndara detyrat dhe përgjegjësitë e tij.

Ky është elementi i parë që sugjeron se dosja duhej të kalonte automatikisht në Prokurorinë e Posaçme, që ka si kompetencë grupet kriminale.

Kjo përforcohet nga elementi i dytë.

Prokuroria e Tiranës thotë se armët e zjarrit porositeshin pjesë-pjesë nga Kosova dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në zonën e Selitës.

Në këtë operacion, policia thotë se ka sekuestruar 3 armë zjarri automatike, 5 pistoleta, dy prej të cilave me silenciator, një armë gjahu, materiale të tjera luftarake, si dhe mijëra euro.

Arsenali i armëve të sekuestruara tregon jo vetëm aftësinë por edhe rrezikshmërinë e lartë të këtij grupi, që me meritë i takon SPAK edhe përsa i përket kompetencës lëndore.

Në këto rrethana, hetimi dhe gjykimi nga prokuroria dhe gjykatat e zakonshme favorizon të arrestuarit, që shpëtojnë nga akuza e grupit të strukturuar kriminal./VoxNews

Dokumenta bashkëngjitur


Video