Përfundon pas tre orësh seanca në GJKKO për "Metamorfozën", debate për komunikimet në "SKY ECC"

1 Tetor 2024, 16:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Të arrestuarit e dosjes "Metamorfoza"

Ka përfunduar pas 3 orësh seanca në GJKKO për dosjen “Metamorfoza”.

Gjyqi u shoqërua me debat mes dy prokurorëve Arben Kraja dhe Altin Dumani me avokatët e të pandehurve.

Sipas mbrojtësve ligjore, pas më shume se një viti Prokuroria e Posaçme ka pranuar që provat e grumbulluara nga zbërthimi i "Sky ECC" nuk jane dokumenta siç kanë pretenduar deri më tani, por janë përgjime.

Qëndrim të cilin e kanë mbajtur avokatët që prej ditës së parë kur ka nisur ky proces. Seanca e kësaj të marte u shty për një ditë tjetër, për shkak të orarit të zgjatur.

Sa i përket "SKY ECC", biznesmeni Pëllumb Gjoka përmes avokatëve të tij ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese padi, ku kërkon pavlefshmëri të komunikimeve Sky.

Padia ka kaluar në dhomë këshillimi, ndërsa pritet të caktohet një datë për shqyrtimin e saj nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Personat nën akuzë kundërshtojnë mënyrën se si janë tërhequr aktet nga SPAK të vënë në dispozicion nga autoritetet belge e franceze.

SPAK nga ana tjetër kërkon që Kushtetuesja ta rrëzojë ankimin duke lënë në fuqi masat e dhëna nga GJKKO dhe apeli i GJKKO që i konsideron prova të ligjshme.

Video