45-vjeçari nga Vlora, Spartak Dyrmishi u arrestua gjatë natës së kaluar nga policia shqiptare dhe iu dorëzua menjëherë autoriteteve greke, pa pritur një vendim gjykate për ekstradimin e tij.
Në shtetin fqinj ai quhet tashmë si “përdhunuesi i Faliros”, pasi akuzohet se ka përdhunuar një 38-vjeçare greke dhe tentoi të abuzonte me një tjetër në atë qytet.
Mediat greke raportojnë se babai i dy vajzave ka pranuar përdhunimin dhe tentativën e përdhunimit të dy grave, por në ato momente ka qenë nën ndikimin e alkoolit.
“Droga dhe alkooli më kanë shkatërruar jetën. Isha nën ndikimin e alkoolit kur ndodhi ajo për të cilën ankohen dy vajzat, gjë që e konfirmoj”, mësohet se u ka thënë ai oficerëve të policisë së Athinës që po trajtojnë rastin.
45-vjeçari ka shkuar sot në gjykatë i veshur me jelek antiplumb dhe duke çaluar lehtë. Ndërkohë, ndaj tij rëndon dhe akuza për dhunë në familje, pasi dyshohet se ka rrahur dhe nënën e tij.