Eksperti IT, Gent Progni, u shpreh se pas sulmeve kibernetike në vendin tonë fshihen tre shtete.
Progni tha në Euronews Albania se të përfshirë në këtë sulm janë Rusia dhe Irani, ndërsa tha se ka dyshime dhe për Serbinë.
“Kemi tre shtete të përfshira deri tani. Edhe me sulmin që po ndodh në Maqedoni dhe Kosovë janë tre shtete. Presim një raport që të bëhen me dije emrat e shteteve. Ne po punojmë për të zbuluar se kush fshihet nga ky sulm. Në këtë sulm janë të përfshirë një shtet ballkanik, Rusia dhe Irani. Se them dot pa mbledhur shumë informacion. Dyshimet na çojnë te një shtet“, u shpreh ai.
Progni tha më tej se sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS është shumë alarmant sa mund të kemi edhe shkelje të sigurisë kombëtare.
Progni u shpreh se sulmi është i mirëpërgatitur dhe i mirëmenduar për pasojat.
Ai sugjeroi që të ngrihen grupe pune serioze për të menaxhuar situatën e krijuar.
“Mund të kemi edhe shkelje të sigurisë kombëtare. Aty ka informacion sensitiv për çdo person, ku ka lëvizur dhe si ka lëvizur. Ky grup ka treguar edhe me shtete më të zhvilluara se i kanë të gjitha kapacitetet dhe investimet për të arritur kudo”, u shpreh eksperti.
Ndërsa eksperti Ledion Krisafi u shpreh se Irani me Rusinë janë kundër Shqipërisë.
Sipas tij, se dështimi i Iranit për të bërë sulm terrorist në MEK, çoi në sulmin kibernetik të sistemeve.
“Marrëdhëniet e Shqipërisë me Iranin janë përkeqësuar dhe Shqipëria ishte e papërgatitur për këtë. MEK ka qenë i inflirtuar në një masë shumë të madhe nga Irani. Dështimi i sulmeve terroriste, u kthye në sulm kibernetik. Irani është shndërruar në një aleat shumë të ngushtë për Rusinë.”- tha ai.
Ai tha se qëllimi i Rusisë është të krijojë destabilitet në Ballkan.
“Mundësia e sulmeve kibernetike është e jashtëzakonshme për të krijuar pasiguri dhe kaos në një vend të NATO-së. Qëllimi i Rusisë në Ballkan është krijimi i destabilitetit”, u shpreh ai.