Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur një kërkesë zyrtare pranë Gjykatës Administrative për transmetimin live të seancave gjyqësore në procesin ndaj prokurorit Ols Dado.
Në kërkesë, Veliaj argumenton se parimi i transparencës së gjykimit duhet të garantohet në mënyrë reale dhe efektive, përmes lejimit të transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave për publikun. Sipas tij, kufizimi aktual në ndjekjen fizike të seancave nuk përmbush standardin e transparencës që kërkon ligji.
"Lidhur me këtë proces, nëpërmjet kësaj kërkese, i drejtohem Gjykatës për të kërkuar që një parim themelor i këtij procesi, publiciteti i seancës, të realizohet në mënyrë të plotë dhe efektive, në përputhje me nenin 20 të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar, i cili përcakton se shqyrtimi gjyqësor është i hapur për publikun. Kërkesa që paraqes nuk lidhet me ndryshimin e këtij statusi, por me mënyrën konkrete se si ky parim duhet të realizohet në praktikë. Më konkretisht, kërkoj nga Gjykata që të lejojë praninë e një kamere të mediave për transmetimin e drejtpërdrejtë të çdo seance, ose, në alternativë, që vetë Gjykata të mundësojë transmetimin live të çdo seance përmes një sinjali institucional të kontrolluar prej saj, në mënyrë që publiku të ketë akses të drejtpërdrejtë në zhvillimin e procesit", thuhet në kërkesë.
Një nga argumentet kryesore lidhet me praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila tashmë transmeton live seancat publike, si standard për garantimin e transparencës dhe aksesit të qytetarëve në drejtësi. Sipas Veliajt, kjo praktikë duhet të shërbejë si model për të gjitha gjykatat, pasi tregon se transmetimi i drejtpërdrejtë është plotësisht i pajtueshëm me solemnitetin dhe zhvillimin normal të procesit gjyqësor.
Ai thekson se, për shkak të funksionit të tij publik, interesit të lartë që mbart çështja, personave të shumtë të interesuar, aplikimi i një standardi më të kufizuar nga gjykatat e tjera do të cenonte të drejtën e publikut për të përçuar zhvillimin e çështjeve, besimin e publikut dhe do kompromentonte qëllimet e këtyre proceseve.