Kryedemokrati Sali Berisha i konsideroi sot veprimet e Policisë së Shtetit të ngjashme me ato të Asadit në Siri, duke theksuar se pamje të tilla nuk janë parë në Europë.
Gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e sotme të PD-së para Kryeministrisë, Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrin e Brendshëm Lamallari, si dhe kreun e Policisë së Shtetit, Hita.
“Por ditën e premte, shqiptarët dhe miqtë e tyre kudo në botë u përballën me pamjet më të shëmtuara, me pamje që të kujtonin sulmet e Asadit mbi popullin e tij. Me pamje që të rikujtonin sulmet kimike të Sadam Hyseinit dhe gjenocidin ndaj kurdëve. Me pamje të qytetarëve të mbytur nga helmi, me pamje deputetësh që dergjeshin përtokë të asfiksuar me spraj toksik ariu të hedhur nga kriminelë të pafytyrë. Mirëpo këto pamje, që qarkulluan të premten në Shqipëri dhe në mbarë botën, nuk ishin as nga Siria, as nga Iraku, por nga Shqipëria në zemër të Europës. Një sulm shtazor i urdhëruar nga kreu i narkoshtetit, biri i bllokmenit xhelat, Edvin Kristaq Rama dhe i ekzekutuar nga ushtarët e tij të verbër, Besfor Kimiku, Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, të cilët morën përsipër të helmojnë qytetarët kryengritës paqësorë me lëndë nga më të rrezikshmet helmuese”, tha Berisha.
“Ndodh që në Europë të bëhen protesta. Ndodh në Francë, Bruksel dhe kudo. Ndodh ndonjëherë që këto protesta të jenë të dhunshme. Kemi parë pamjet dhe institucionet e dëmtuara, dyqane private që digjen, madje dhe grabiten. Por kurrë nuk janë parë në Europë pamje ku protestuesit të dhunohen ashtu siç u dhunuan qytetarët shqiptarë ditën e premte. Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, protesta e të premtes, ashtu si dhe të tjerat, nuk pati asnjë përdorim dhune, asnjë ushtrim dhune nga protestuesit paqësorë. Në momentin që unë përfundova fjalimin, narkokriminelë, policë me uniformë janë lëshuar si kafshë, si shtazë kundër protestuesve, jo sikur të ishin shqiptarë apo njerëz në fund të fundit, por sikur të ishin hasmi më i rrezikshëm i këtij vendi. Po pse kjo dhunë e narkopolicisë dhe banditëve të saj? Sepse Edi Rama, Besfor Kimiku, Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, etj, me vetëdije të plotë helmuan qytetarët të kapur nga një frikë e tmerrshme në shpirtin e tyre të zi”, vijoi ai.
Berisha deklaroi se PD nuk do të ndalet, derisa të rrëzojë qeverinë, që e quajti bandite.
“Në protestë, helmuan qytetarët prej frikës. Besfort kimiku dhe të tjerët në krye të Policisë së Shtetit dhunuan qytetarët. Ata kanë frikë dhe kjo është shenja e kapitullimit të tyre. Protesta jonë e ardhshme do jetë proporcionale në raport me dhunën që na u bë. Dhuna jonë do jetë proporcionale me dhunën e një banditi në krye të qeverisë. Qytetarët kërkojnë që mos pengohet integrimi në Bashkimin Europian. Ne ia dolëm që të zbërthejmë piramidën e mashtrimit. Rama dhe Balluku e kanë vendin në burg. Na sulmuan me granata, shkopa goma. Ja ku jemi në kilometrin e fundit”, tha Berisha.