Dëshmia e një të penduari të drejtësisë italiane mësohet se ka hedhur dritë mbi lidhjet e një ministri shqiptar me personat me të cilët ka bashkëpunuar në trafikun e drogës me Shqipërinë.
Prokuroria italiane ende nuk e ka nxjerrë emrin e ministrit shqiptar, por nga të dhënat që ka shpërndarë në media bëhet fjalë për një ministër Drejtësie ose të Brendshëm, pasi i penduari i tyre nuk ia mban mend emrin “garantit” të trafikut të lëndës narkotike prej vendit tonë në drejtim të Italisë.
“Valerio Navarra kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare, nëse më kujtohet mirë subjekti i korruptuar ishte ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm ose në çdo rast një figurë e rëndësishme politike shqiptare”, tha i penduari.
I penduari italian iu ka thënë hetuesve se bashkëpunimin me të madh në Shqipëri e ka pasur me një person nga Vlora me emrin Robert Lazaj, i cili i ka treguar edhe për sigurinë e madhe që kishte në rang ministri për të realizuar kalimin e sasive të mëdha të lëndës narkotike të llojit kanabis.
Antonio Gusatelegame, 53 vjeç është personi i 59 i penduar në megaprocesin e Antimafias kalabreze i quajtur “Rinascita Scott”, emër i marrë nga megaoperacioni që çoi në arrestimin e hetimin e qindra personave, politikanë, sipërmarrës, funksionarë dhe punonjës të forcave të rendit të lidhur me Ndrangehta-n.
Dëshmia e tij i shtohet akuzës së lidhjeve të kësaj mafie me krimin e organizuar shqiptar në trafiqet e drogës si dhe në shërbimin që i bëhej nga individë të korruptuar në nivele të larta brenda qeverisë shqiptare.
Mediat italiane kanë publikuar detaje konkrete për lidhjet që ka mafia shqiptare me atë italiane në bazë të kësaj dëshmie. Dy ditëve të fundit janë publikuar copëza nga dëshmia e Antonio Guastalegname, sipërmarrësi i Vibo Marina, i konsideruar si bashkëpunëtori më i ri i drejtësisë.
Navarra siç raporton i penduari kishte kontakte me subjektet shqiptare. “Ky i fundit thotë Guastalegname kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare, nëse më kujtohet mirë subjekti i korruptuar ishte ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm ose në çdo rast një figurë e rëndësishme politike shqiptare”.
Një lidhje që bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se e ka mësuar nga një person me disa emra, Eduardi apo Roberti, gjatë një udhëtimi në Firence-Bologna: “Më propozoi ta shisja drogën direkt vetë, pa ndërmjetës dhe për të më joshur nënvizoi lehtësinë me të cilën ata mund të organizonin importet e ‘barit’, duke besuar në ‘mbështetjen e qeverisë shqiptare’ (shprehja e tij) në sajë të së cilës ata mund të përballonin ngarkesa të mëdha pa frikën e kontrolleve”.
Për hetuesit, Eduardi apo Roberti që thotë i penduari lidhet me emrin e Robert Lazaj, i lindur në Shqipëri, më saktë në Vlorë, në vitin 1972. I njëjti që Guastalegname e ka identifikuar në foto: “Konfirmoj ka nënvizuar ai se ky është personi të cilit i referohesha dhe është i afërmi i ministrit të qeverisë shqiptare që ka siguruar mbulimin e këtyre trafiqeve nga Shqipëria”.
Roli i të arrestuarve shqiptarë në këtë megaproces ishte furnizimi i Ndrangheta-s me marijuanë e hashash që vinte nga Shqipëria përmes portit të Barit. Trafikimi realizohej përmes një grupi trafikantësh shqiptarë të cilët jetonin në veri të Italisë, shumica e të cilëve në rajonin e Toskanës.
Sipas hetimeve mësohet se faza paraprake e blerjes së drogës nga Brazili e Shqipëria organizohej nga persona të caktuar të cilët kontraktonin drejtpërdrejtë me kartelet e drogës si në Brazil e në Shqipëri dhe ishin garancia si për çmimin e saj ashtu dhe për transportin e shpërndarjen me shumicë.
Megaprocesi ka vënë nën arrest jo vetëm trafikantë armësh e droge e bosë mafiozë, por dhe ish-parlamentarë e eksponentë të politikës italiane e të politikës lokale kalabreze. Ky operacion ka goditur veçanërisht klanet mafioze Mancuso, Lo Bianco Barba, Pugliese, PardeaCamillo-Macri, La Rossa e shumë të tjerë.