Ngrihet Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ja për çfarë do të shërbejë

16 November 2022, 13:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ngrihet Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ja për
Foto ilustruese

Këshilli i Ministrave ka vendosur këtë të mërkurë që të ngrejë Qeveria ka ngritur një Institut të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, i cili ka si mision të garantojë sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve, e ushqimeve për kafshë, mbrojtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve, mbrojtjen e bimëve dhe produkteve bimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Shqipëri.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave. ISUV do të shërbejë si Qendër Kombëtare e Referencës Laboratorike për të gjithë fushën e përgjegjësisë dhe bashkëpunon me institute, qendra kërkimore-shkencore, ente ndërkombëtare dhe qendra reference.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, do të jetë një institucion qendror, juridik, publik, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për ushqimin dhe veterinarinë. Përsa i përket financimit, do varet nga buxheti i shtetit, nga të ardhurat dytësore që krijon dhe burime të tjera të ligjshme.

VENDIM PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INSTITUTIT TË SIGURISË USHQIMORE DHE VETERINARISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të pikës 1, të nenit 123, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Organizimin dhe funksionimin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, (në vijim ISUV), si institucion qendror, juridik, publik, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për ushqimin dhe veterinarinë.
ISUV-i financohet nga buxheti i shtetit, nga të ardhurat dytësore që krijon dhe burime të tjera të ligjshme.
ISUV-i është Qendër Kombëtare e Referencës Laboratorike për të gjithë fushën e përgjegjësisë. ISUV-i bashkëpunon me institute, qendra kërkimore-shkencore, ente ndërkombëtare dhe qendra reference.
ISUV-i ka si mision të garantojë sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve, e ushqimeve për kafshë, mbrojtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve, mbrojtjen e bimëve dhe produkteve bimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet kryerjes së veprimtarive laboratorike dhe vlerësimeve shkencore në këto fusha.
ISUV-i e ushtron veprimtarinë në këto fusha përgjegjësie:
a) Kryerjen e analizave të sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve;
b) Kryerjen e aktiviteteve të mjekësisë veterinare;
c) Kryerjen e vlerësimeve shkencore dhe kërkimeve teknologjike.

PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE

Në përputhje me legjislacionin, ISUV-i ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për:

a) kryerjen e analizave laboratorike, të kërkuara nga institucionet përgjegjëse të kontrollit të ushqimit, ushqimit për kafshë, mbrojtjes së bimëve, institucionet e tjera dhe subjektet private;
b) kryerjen e veprimtarisë kërkimore-teknologjike, vlerësimeve shkencore dhe publikimeve;
c) akreditimin e testeve laboratorike që kryen;
ç) vlerësimin e laboratorëve për pajisjen me autorizim nga ministri përgjegjës për ushqimin.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I INSTITUTIT TË SIGURISË USHQIMORE DHE VETERINARISË

ISUV-i organizohet si drejtori e Përgjithshme, me juridiksion në të gjithë territorin e vendit.
ISUV-i kryen këto detyra:
a) Në fushën e ushqimit dhe ushqimit për kafshë:

i. kontrollin mikrobiologjik, të biotoksinave algale, të nivelit të histaminës dhe fiziko-kimik të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë;
ii. vlerësimin e laboratorëve të autorizuar përpara pajisjes së tyre me autorizim nga ministri përgjegjës për ushqimin;
iii. analizën e mbetjeve të produkteve mjekësore veterinare (PMV), metaleve të rënda dhe produkteve të mbrojtjes së bimëve (PMB) në produktet me origjinë shtazore (përfshirë kafshët e gjalla dhe produktet e tyre) dhe bimore, të prodhuara në vend dhe/ose të importuara, në zbatim të legjislacionit për sigurinë ushqimore;
iv. bashkërendimin e punës dhe ofrimin e mbështetjes, përfshirë metodologjitë bashkëkohore, trajnime dhe shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe metodat e analizave që kryejnë laboratorët rajonalë;
v. marrjen pjesë rregullisht në testet e aftësive ndërlaboratorike në nivel ndërkombëtar, për të verifikuar performancën e tij për të prodhuar rezultate të qëndrueshme dhe të besueshme;
vi. organizimin e testeve paralele të mostrave të standardizuara për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të autorizuar të kontrollit.

b) Në fushën e shëndetit të kafshëve:

i. kryerjen e analizave laboratorike, në zbatim të programeve kombëtare të monitorimit dhe survejancës së situatës epidemiologjike të sëmundjeve të kafshëve, shpendëve dhe zookulturave;
ii. kryerjen e analizave laboratorike, në zbatim të programeve kombëtare të monitorimit të diagnostikimit, prognozë-sinjalizimit dhe monitorimin e parazitozave, bakteriozave dhe virozave në kafshë;
iii. kryerjen e analizave laboratorike për vendosjen e diagnozës për sëmundjet infektive të kafshëve;
iv. kualifikimin e specialistëve dhe të teknikëve të laboratorëve veterinarë;
v. bashkërendimin e studimeve kërkimore dhe shkencore, për të zbatuar metoda të reja diagnostike për sëmundjet e kafshëve dhe sigurinë ushqimore;
vi. drejtimin metodologjik të laboratorëve veterinarë;
vii. kryerjen e analizave laboratorike konfermatore për kampionet, rezultatet e të cilave janë kontestuar, pasi janë nxjerrë nga laboratorët e tjerë veterinarë në vend;
viii. pjesëmarrjen në teste zotësie të organizuara nga laboratorët e referencës së Bashkimit Evropian dhe OIE-së;
ix. vlerësimin e laboratorëve veterinarë, nëse janë të aftë për kryerjen e analizave të miratuara;
x. vlerësimin e dokumentacionit të PMV-ve gjatë procedurës së regjistrimit të tyre.

c) Në fushën e mbrojtjes dhe shëndetit të bimëve:

i. vlerësimin e dokumentacionit të PMB-ve gjatë procedurës së regjistrimit të tyre;
ii. kontrollin cilësor të PMB-ve të regjistruara dhe të hedhura në treg;
iii. vlerësimin e laboratorëve, me qëllim miratimin e tyre si laboratorë të miratuar për kryerjen e analizave të kontrolleve zyrtare;
iv. bashkërendimin e punës dhe dhënien e mbështetjes, përfshirë trajnimet dhe shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe mënyrat e analizave që kryejnë laboratorët e miratuar;
v. organizimin e testeve paralele të mostrave të standardizuara dhe marrjen pjesë në to, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të miratuar të kontrollit;
vi. marrjen pjesë rregullisht në testet e aftësive ndërlaboratorike, në nivel ndërkombëtar, për të verifikuar performancën e tij për të prodhuar rezultate të qëndrueshme dhe të besueshme;
vii. organizimin e testeve paralele të mostrave të standardizuara për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të miratuar të kontrollit;
viii. garantimin e përdorimit të një sistemi të brendshëm në përputhje me standardet e kërkuara nga laboratorët e miratuar të kontrollit.

ç) kryen analiza në kuadër të planeve kombëtare të monitorimit;
d) kryen analiza laboratorike, në zbatim të programeve kombëtare të monitorimit dhe survejancës së situatës epidemiologjike të sëmundjeve infektive, zoonozave dhe mbetjeve toksike në bimë;
dh) vlerëson dosjet e produkteve mjekësore veterinare, produkteve të mbrojtjes së bimëve dhe ambalazhit në procesin e regjistrimit, si dhe jep mendimin teknik për procesin e regjistrimi të tyre.

Struktura dhe organika e ISUV-it miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në fuqi të legjislacionit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të administratës shtetërore.
ISUV-i drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e tij, përfaqëson ISUV-in në marrëdhënie me të tretët dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i Përgjithshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi, por pa u kufizuar, me qëllim sigurimin e drejtimit dhe administrimit efektiv të ISUV-it, kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Përcakton objektivat vjetorë të ISUV-it në përputhje me objektivat strategjike të ministrisë;
b) Miraton planet e punës afatmesme dhe afatgjata të departamenteve;
c) Lidh kontratat e punës në përputhje me Kodin e Punës në Republikën e Shqipërisë, për nëpunësit/punonjësit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen mbi bazën e këtij legjislacioni;
ç) Nxjerr akte administrative për realizimin e funksioneve të ISUV-it si dhe akte të brendshme për menaxhimin administrativ, financiar, të burimeve njerëzore dhe akte të tjera të brendshme, të detyrueshme për nëpunësit e ISUV-it;
d) Delegon kryerjen e detyrave të përcaktuara për periudhën dhe veprimtarinë që delegohet;
dh) Autorizon publikimin e informacioneve për median, publikun dhe subjekte të tjera;
e) Nxjerr urdhra dhe akte të brendshme në përputhje me kuadrin rregullator dhe për zbatimin e politikave, strategjive, programeve të miratuara;
ë) Çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi dhe ministri.

Drejtori i Përgjithshëm në kryerjen e aktivitetit të tij mbështetet nga një zëvendësdrejtor i Përgjithshëm. Në mungesë të drejtorit të Përgjithshëm, në pamundësi të kryerjes së detyrave prej tij ose me autorizim, zëvendësdrejtori drejton aktivitetin e ISUV-it.
Ministri, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm, miraton rregulloren që përcakton organizimin e brendshëm të punës dhe sjelljen e personelit të ISUV-it.
ISUV-i ka stemën dhe logon e vet zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria… (emri i ministrisë përgjegjëse për ushqimin, veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve), Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.”.
Vula ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, për rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm të ISUV-it dhe nëpunësve të tjerë të tij rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

DISPOZITA TË FUNDIT

Pika 8, e vendimit nr.515, datë 19.7.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e instituteve kërkimore-shkencore, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit”, shfuqizohet.
Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


Video