27-vjeçarit i ngulin thikën në bark gjatë natës në Korçë, tre persona në kërkim

16 November 2022, 09:12Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
27-vjeçarit i ngulin thikën në bark gjatë natës
Foto ilustruese

Një 27-vjeçar është paraqitur mbrëmjen e djeshme në urgjencën e spitalit të Korçës, i çarë me mjet prerës në bark.

Burime për mediat bëjnë me dije se ai ka mbetur i plagosur gjatë një përleshje me disa persona të tjerë në zonën e quajtur si “Trekëndëshi” në qytetin juglindor.

Blutë e Korçës kanë identifikuar autorin dhe e kanë shpallur në kërkim së bashku me dy persona të tjerë të cilët akuzohen për moskallëzim krimi. Po punohet për kapjen e autorëve ndërkohë që i riu i plagosur është jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit R. I., 19 vjeç, A. A., 19 vjeç dhe E. L., 19 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje" dhe "Moskallëzimi i krimit".

Shtetasi R. I., dje, në lagjen nr. 15, Korçë, gjatë një konflikti të çastit, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë) shtetasin A. H., 27 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet e kryera rezulton se në konflikt kanë qenë të pranishëm edhe shtetasit A. A. dhe E. L., të cilët nuk kanë njoftuar organet e Policisë, për ngjarjen e ndodhur. Nga ana e Policisë, po punohet për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të shpallur në kërkim.


Video