“Moti do të jetë i keq për mëkatarët e shumtë të shoqërisë shqiptare.” Ky është "parashikimi" që bën analisti Lorenc Vangjeli teksa flet për arrestimet e radhës që priten nga SPAK-u.
Vangjeli ka deklaruar se ditët në vijim pritet që të dalin në sipërfaqe ato që ai i cilësoi si “prova ngjethëse”. Dhe, për ta kuptuar se ç’do të ndodhë, analisti thotë që mjafton të studiojmë më vëmendje ato që thotë ish-kryeministri Sali Berisha.
Lorenc Vangjeli, duke sjellë në vëmendje edhe deklaratat që Berisha ka bërë së fundmi për operacionin “Golden Bullet”, tha se në morinë e atyre që lideri historik i demokratëve publikon në llogarinë e tij në Facebook, mund të gjenden edhe të vërteta ose shkëndija të asaj që pritet të ndodhë.
“Kjo po ndodh. Publiku po merr provat. Ka heshtje pasi pritshmëritë janë të larta. Moti do të jetë i keq për mëkatarët e shumtë të shoqërisë shqiptare. Qoftë ata të politikës, ata të kallashnikovit apo gishtat që shkrepin këmbëzën. Dobësitë e politikës forcojnë krimin dhe anasjelltas. Mbetet vetëm për t’u shpresuar. Goditjet janë. Nesër do të kemi prova më ngjethëse. Ndonjëherë për të kuptuar se çfarë ndodh ia vlen të lexohet me vëmendje doktor Berisha. Në mediat e tij sociale gjen herë pas herë shkëndija… të asaj që do të ndodhë. Do t’ju ftoja të dëgjoni deklaratat e tij të fundit në parlament ose në konferencën për shtyp. I drejtohej me emër një të dyshuari të tillë dhe i kërkonte të dhëna. Berisha, e përdor politikisht informacionin që merr, informacioni që ai jep shpesh elementë ngjethës vërtetësie, herë pas here ka të drejtë. Berisha është një burim informacioni i dorës së parë. Nga lumenjtë e pafundëm të marrëzisë që ai derdh herë pas herë, shpesh mund të gjeni lëndën tonë të parë të ditës.” - tha Lorenc Vangjeli në "Abc"