Sot u ulën në gjysmështizë flamujt e institucioneve shtetërore në nder të ish-presidentit Bujar Nishani, teksa homazhet në nder të tij u mbajtën paraditen e sotme në ambientet e Presidencës. Shumë miq dhe politikanë të djathtë e të majtë i dhanë sot lamtumirën e fundit ish-Kreut të Shtetit shqiptar. Nuk munguan as presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim
Por, në homazhe u vu re mungesa e tre politikanëve të rëndësishëm shqiptarë: kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj si dhe ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku mori presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kjo ishte arsyeja pse ai nuk mori pjesë në homazhe. Ndërsa për Bashën, në media kanë qarkulluar lajme se ndodhet jashtë vendit për një vizitë pune, por nuk dihen më shumë detaje.
Sa i përket Erion Veliajt, nuk dihet arsyeja e mungesës së tij.
Bujar Nishani humbi jetën në moshën 56-vjeçare në një spital në Gjermani, për shkak të një sëmundje të mushkërive, të cilën ia përkeqësoi COVID-19.