Mediat gjermane japin detaje/ Supervizori i FSHF abuzoi me 18-vjeçaren në kuzhinën e hotelit. 26-vjeçari pezullohet

9 Korrik 2024, 19:19Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje nga hoteli ku qendroi kombetarja shqiptare

Kombëtarja shqiptare është bërë sërish lajm në mediat gjermane, por këtë herë jo për futbollin, por për një skandal, për të cilin prokuroria e Dortmundit ka nisur hetimet.

Mediat gjermane raportuan më herët se një pjesëtar i FSHF po hetohet nga prokuroria gjermane për ngacmim seksual, por “BILD” ka dhënë detaje të tjera, ku raporton se nuk bëhet fjalë thjeshtë për ngacmim, por për një përdhunim.

Sipas BILD, punonjësi i FSHF për të cilin deri më tani është bërë publike vetëm mosha (26-vjeç) ka përdhunuar punonjësen e hotelit në Kaiserau ku ishte akomoduar kombëtarja shqiptare.

“BILD” shkruan se supervizori i FSHF ka përdhunuar punonjësen 18-vjeçare të hotelit mbrëmjen e 23 qershorit.

Në artikull theksohet se punonjësja e hotelit të shkollës sportive Kaizerau në Kamen ka lajmëruar policinë pas sulmit të 23 qershorit në orën 19:30. Prokuroria publike e Dortmundit konfirmoi se një hetim ishte duke u zhvilluar.

Ishte e përditshmja “Hellëeger Anzeiger” media e parë që raportoi këtë skandal.

E reja i tha policisë në Una (Rain-Vestfalia e Veriut) se shqiptari e kishte futur me forcë në kuzhinë, e kishte puthur dhe abuzuar seksualisht me të.

Ndërkohë, mediat në gjermani e kanë cilësuar skandal mosveprimin e prokurorisë pas ngjarjes, pasi kanë lejuar të udhëtojë lirshëm drejt Shqipërisë të akuzuarin.

“Duke qenë se deri më tani nuk ka dyshime të forta për një krim, nuk është bërë asnjë kërkesë për urdhër arresti”, u shpreh një zëdhënëse e prokurorisë.

Sipas ligjit gjerman, një përdhunues mund të dënohet me të paktën dy vjet burg. Aktualisht është e paqartë se si do të vazhdojë hetimi.

Por ajo që mbetet ende e paqartë është se si ka rrjedhur ngjarja, pasi nuk ka ende asnjë informacion se si paraqitet gjendja e vajzës që pretendon se është përdhunuar.

Personi i akuzuar raportohet se nuk është as lojtar dhe as zyrtar i rangut të lartë.

“Kujdesi ndaj punonjëses dhe mbrojtja e të drejtave të saj personale janë prioriteti ynë kryesor”, tha një zëdhënëse e “SportCentrum Kaiserau”.

Ndërkohë që 26-vjeçari është pezulluar nga FSHF.

Video