Media italiane “Corriere Dello Sport” raporton se disa orë para finales së Ligës së Konferncës është rritur tensioni tek Policia e Shqipërisë, pasi ka dyshime se mes tifozëve të Romës në Tiranë ka të infiltruar dhe huliganë të ekipit grek, Paoku dhe huliganë të ekipit turk Fenerbahçe.
“Rritet tensioni për rendin publik në Tiranë pak orë para finales së Conference League mes Romës dhe Feynoord. Pas përplasjeve të mbrëmjes që çuan në arrestime të shumta, tashmë ka shumë shqetësim për infiltrimin e tifozëve të Paok Saloniko dhe Fenerbahce, armiq të Feynoord.” - shkruhet në artikullin e “Corriere Dello Sport”.
Sipas medias përtej Adriatikut, huliganët e Paok-ut të Greqisë dhe ata turq të Fenerbahçes, njihen për armiqësinë e tyre me mbështetësit e holandezëve të Feynoord.
Efektivë të Policisë së Shtetit janë vënë në gatishmëri prej dy ditësh, do të jenë sot dhe nesër derisa tifozi i fundit të largohet nga Tirana, për të shmangur çdo përplasje të mundshme.
Ditën e djeshme, Tirana u kthye në një kaos pas përplasjeve të policisë me huliganët, por nëse lajmi i “Corriere Dello Sport” është i vërtetë, atëherë Policia duhet të përgatitet për ngjarje që mund ta kapërcejnë dhunën e djeshme.