Bën përshtypje fakti se beteja ligjore që trafikantët kishin planifikuar ishte ajo për transferimin e dosjes nga Krimet e Rënda në Vlorë. Pra, pagesa që ata kërkonin të realizonin për prokurorin e Krimeve të Rënda, Eneid Nakuçi ishte vetëm për transferimin e dosjes. Me sa duket, në Vlorë gjithçka e kishin kollaj përmes prokurorit Maksim Sota.
“Landi, Maksimi dhe Miri po merreshin me çështjen deri në kalimin në prokurorinë e Vlorës. Di që për zgjidhjen e çështjes së sekuestrimit të 808 kilogramëve marijuanë, për transferimin mes prokurorive, Lani ka paguar 150 deri në 200 mijë euro, kështu më ka thënë”.
“Jemi në pritje për të kuptuar nëse provat tona kanë pasur rezultat në proceset në Shqipëri. Ne nuk procedojmë në Itali le të themi, persona publik shqiptarë, nuk është kjo… Kjo bëhet në Shqipëri edhe falë hetimeve tona, të shohim si do shkojë procesi në Shqipëri”, thotë prokurori italian.
Tani, le të shohim në mënyrë kronologjike hapat kryesorë se çfarë ndodhi me dosjen hetimore ndaj pjesëtarit të grupit Robert Myftari, dosje e cila ishte në dorë të prokurorit Eneid Nakuçi. Në bazë të referimit të policisë së Vlorës, prokurori i Krimeve të Rënda regjistroi procedimin penal numër 313 datë 11 nëntor 2015. Në datën 29 janar 2016 u regjistrua si i dyshuar emri i Robert Myftarit. Këtu është momenti kur hyn në lojë “Lani” me njohjet e tij në prokurori.
Në 25 Nëntor të vitit 2016 vendoset pushimi i hetimeve ndaj Robert Myftarit, edhe pse në gomonen e drogës ishin gjetur dokumente që e lidhnin me të. Ndërkohë, në 10 Korrik 2017 u pezullua dosja pasi nuk u arrit të identifikoheshin trafikantët. Pra, dëshmia e Mariglen Shushës përputhet me atë që ka ndodhur në të vërtetë. Hetimet ndaj Myftarit ishin pushuar dhe dosja ishte pezulluar.
Prokurori i antimafias: Trafikantët e mëdhenj ia hidhnin falë lidhjeve korruptive
“Është pak si përherë në raportet ndërkombëtare mes institucioneve ligjzbatuese të vendeve të ndryshme, flasin gjuhë të ndryshme, jo thjesht gjuha por mentalitete të ndryshme. Kanë qenë disa vite në të cilat këto raporte nuk arrinin të prodhonin rezultate, madje në raste të caktuara kemi pasur dyshime që trafikantë të mëdhenj ia dilnin përherë, dhe natyrisht dyshimi ishte se mund të ishte fenomeni i korrupsionit”, thotë prokurori italian.
“Duke u kthyer edhe njëherë tek tentative për të kapur prokurorin e dosjes në Tiranë për sekuestrimin e drogës, Lani më tha se çështja po zgjidhej”.
Pra, prokurori Eneid Nakuçi e kishte mbyllur çështjen. I takon organeve ligjzbatuese për të verifikuar më tej se kush ishte përfituesi i 200 mijë eurove që trafikantët kishin paguar referuar dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë italiane.
“Procedimi ishte mbyllur, por Lani dëshironte edhe ti kthehej gomonia e sekuestruar. Ai më tha se kishte paguar 200 mijë euro për zgjidhjen e çështjes, duhet ti kthenin edhe gomonen. Paratë lani nuk i pagoi në një dorë. Këto para I mori psikologu Landi për të paguar atë që kishte zgjidhur çështjen. Por, lani dyshonte se psikologu kishte mbajtur një pjesë të parave për vete”.
Shusha pyetet nga prokurorët nëse ai vetë ka qenë i pranishëm kur janë dorëzuar paratë. I penduari sqaron se ka qenë prezent në tentativën e parë kur Lani u përpoq ti japë 10 mijë euro prokurorit nga Berati. Ai sqaron se nuk ka qenë prezent kur janë dhënë 200 mijë euro për prokurorin e Tiranës.
“Pashë vetëm paratë, 10 mijë eurot në duart e Lanit që do ia jepte Mirit. Për të tjerat, u kam thënë ato që di nga Lani për çështjen. Di që psikologu Landi kishte një rol të rëndësishëm në dorëzimin e parave te oficeri i Policisë Gjyqësore pranë prokurorit të çështjes në Tiranë”.