Një gjykatë belge burgosi dhjetra persona këtë të martë, në një nga gjyqet më të mëdha të drogës në vend, ku drejtuesit e një rrjeti kriminal të trafikut të drogës u dënuan deri në 17 vite burg.
Më shumë se 120 të pandehur nga Belgjika, Shqipëria, Kolumbia dhe Afrika e Veriut u akuzuan se kishin marrë pjesë në një ndërmarrje shumëkombëshe të trafikut të kokainës dhe kanabisit pasi hetuesit hapën aplikacione të koduara të mesazheve.
Gjyqtarët dhanë dënime me më shumë se 700 vjet në total për të gjithë të pandehurit. Vetëm nëntë nga të akuzuarit u shpallën të pafajshëm.
119 të tjerë morën dënime me burg që varionin nga disa muaj deri në më shumë se 15 vjet me një sërë akuzash, duke përfshirë pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, trafik droge, trafik armësh dhe tentativë zhvatjeje.
Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e pasurisë që arrin në dhjetëra milionë euro.
"Është një gjykim jashtëzakonisht i ashpër”, tha për AFP Gilles Vanderbeck, një avokat që përfaqësoi një nga drejtuesit e dyshuar të trafikut, duke vënë në dukje numrin e ulët të të shpallurve të pafajshëm dhe dënimeve me kusht.
Klienti i tij, algjeriani Abdelwahab Guerni, u burgos me 17 vjet, dënimi më i ashpër i dhënë këtë të martë.
Guerni, një burrë tullac i gjatë, ishte mes mbi 20 të pandehurve që u çuan me pranga në një sallë gjyqi në ish-selinë e aleancës ushtarake të NATO-s në Bruksel.
Ata u ulën në bankën e të akuzuarve përballë një vargu oficerësh policie ndërsa gjyqtarët lexonin listën e gjatë të vendimeve.
Të akuzuarit e tjerë që ishin lënë me kusht në pritje të gjykimit, u ulën në gjykatë për të pritur fatin e tyre.
Shqiptari nga Vlora me mbiemër kolumbian, 50-vjeçari Eridan Munoz Guerrero, një tjetër drejtues i dyshuar i rrjetit, u dënua me 14 vjet burg.
I akuzuar për drejtimin e disa laboratorëve të kokainës në Belgjikë, shqiptari Eridian Munoz Guerrero kishte pranuar fajin e tij në fillim të gjyqit duke i thënë gjykatësit: "I nderuar, unë luajta, dhe humba".
Avokatja e tij, Nathalie Gallant, e përshkroi vendimin si "të drejtë", duke shtuar se dënimi i klientit të saj pasqyronte bashkëpunimin e tij me autoritetet.
Rrjeti i trafikut - aktiv nga viti 2017 deri në fund të 2022 - përfshinte banda të shumta kriminale dhe u çmontua pas bastisjeve të policisë në Belgjikë, Gjermani dhe Itali.
Prokurorët kishin kërkuar burgim deri në 20 vjet për disa nga të akuzuarit.
Ata thanë se droga transportohej në kontejnerë nga Amerika e Jugut dhe Maroku dhe u kontrabandua përmes porteve në Belgjikë, veçanërisht portit gjigant të Antwerp-it, si dhe Holandës, Gjermanisë dhe Francës përpara se të shitej nëpër Evropë.
Rasti ishte pjesërisht i bazuar në provat e zbuluara pasi hetuesit hapën aplikacionet e koduara Sky ECC dhe EncroChat, të cilat bandat i përdornin për të komunikuar.
Duke depërtuar në aplikacionet e mesazheve, policia tha se ishte në gjendje të vëzhgonte planifikimin dhe kryerjen e pambrojtur të operacioneve të kontrabandës së drogës.
Autoritetet belge e kanë portretizuar gjyqin si goditjen e fundit ndaj bandave të trafikut të drogës.
Por disa avokatë mbrojtës e dënuan atë si një "marifet publiciteti", duke akuzuar prokurorët se kishin bashkuar çështjet e shkëputura në një gjyq që bie në sy.
"Fakti që ata u gjykuan të gjithë së bashku dha një përshtypje madhështie dhe ndoshta lejoi që dënimet të rriteshin," tha Vanderbeck.
Prokurorët këmbëngulin se kishte një "strukturë dhe hierarki" midis grupeve të ndryshme kriminale të përfshira dhe lidhje të qarta të paligjshme tregtare.
Vendimi fillimisht pritej më 2 shtator, por u shty pas kundërshtimit të një prej të pandehurve.
Avokatët e disa të pandehurve thanë se po mendonin të apelonin, por duhej të lexonin fillimisht vendimin, i cili kishte më shumë se 1000 faqe.
"Ky ishte një nga gjyqet penale më të mëdha në historinë e vendit," tha gjykata e Brukselit në një deklaratë, duke shtuar se organizimi i saj kishte qenë "një sfidë e vërtetë" duke pasur parasysh numrin e njerëzve të përfshirë.