
Bosi i mafias shqiptare, i dënuar nga drejtësia belge për implikimin e tij në veprimtari të shumta kriminale, Franc Çopja ka investuar disa herë në kriptomonedha përmes parave të pista, duke lehtësuar përdorimin e tyre. Këtë "strategji" Çopja ia mësoi dhe bashkëpunëtorit të tij, Ervis Çela.
Në episodin e sotëm të emisionit “Shënjestër” u zbulua skema se si grupet kriminale po përdorin kriptovalutat jo vetëm për të bërë pagesat për blerjen e sasive të lëndëvë narkotike, por edhe për të investuar paratë e përfituara nga veprimtaritë kriminale në portofole dixhitale në kriptovaluta.
Bisedat e bëra mes Franc Çopjas dhe Ervis Çelës, nga fshati Fatish i Peqinit që mund të konsiderohet pa frikë si ‘Pablo Eskobar’ shqiptar, u pikas “shqetësimi” i mafiave për të gjetur një vend të sigurtë për paratë e tyre, që kapnin shuma marramendëse.
Ervis Çela së bashku me vëllezërit e tij, Albini, Rizai dhe Ardiani me përfshirjen e tyre në botën e krimit kishin arritur të siguronin “një mal me para”.
Në bisedat e siguruara nga Sky Ecc, Çela shfaqej nga njëra anë duke u mburrur se kishte siguruar 100 milionë euro, e nga ana tjetër i shqetësuar se si do kalonte kufirin për në Shqipëri.
Bashkëpunëtori i tij, Franc Çopja i dha zgjidhje problmeit. Ky i fundit e këshillonte t’i investonte në lingota ari, ashtu saiç prej kohësh po vepronte dhe vetë.
Çopja e orientoi Çelën që të investojë paratë në lingota ari dhe të mos i groposë, duke theksuar se mund të dëmtohen.
Ervis Çela- Shok mora 3.8 milionë sot në Tiranë… Kam 200 ullinj në mal, duhen futur me ndonjë qyp… Se ullinjtë rrojnë shumë…
Franc Çopja-Kthej në flori…. Mos i fut lekët në tokë… Më dëgjo mua…
Ervis Çela-S’ka flori… Duhet me grabit ndonjë bankë…Duhet me porosit nga Afrika…
Franc Çopja- E di që s’ka… Do flas unë me njërin, mos na i sajon. Por mblidhi avash-avash. Por mos fut lek në tokë se prishen.
Ervis Çela- E di që prishen lekët… Pyete. Sa të ketë 100-200 kile…
Ervis Çela i tregon shokut të tij se është duke blerë dy portofole, me qëllim investimin në kriptomonedha. Një portofol që kap shifrën e 14 milion dollarëve. Nga ku në një vit do të arrijë të fitojë rreth 2.5 milion dollarë.
Sipas komunikimit të dyshes, kthimi i parave në kallëpa ari e lehtësonte më shumë fshehjen si dhe konvertimin e tyre në para.
Kujtojmë se gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel dënoi bosin e mafias Franc Gergely, i njohur edhe si Franc Çopja, me 25 vite burg për organizimin e vrasjes së Ardit Spahiut, krim i ndodhur më 27 nëntor 2020 në zonën e Molenbeekut, në Belgjikë.
Sipas trupës gjykuese, Franc Çopja e kishte urdhëruar ekzekutimin nga Dubai, ku qëndronte prej disa vitesh.
Vendimi erdhi pasi të premten gjykata i shpalli fajtorë të pandehurit si autorë ose bashkëpunëtorë në vrasjen e Spahiut, i cili ishte larguar nga Shqipëria në vitin 2019 për shkak se ishte i frikësuar për jetën e tij, kjo pas përplasjeve të ashpra mes klaneve rivale të Elbasanit.