Avokati i Pëllumb Gjokës kundërshton kërkesën e SPAK për thirrjen e 40 dëshmitarëve

3 Mars 2026, 16:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Avokati i biznesmenit Pëllumb Gjoka ka kundërshtuar kërkesën e SPAK për thirrjen e 40 dëshmitarëve lidhur me dosjen “Metamorfoza” dhe vrasjen e Gjin Ndojit. Avokati, Gurali Brahimllari gjatë fjalës së tij theksoi se dëshimtarët nuk kanë lidhje me çështjen. Sipas tij SPAK kërkon të krijojë iluzionin në publik se ka prova duke zgjatur çështjen.

“33 nga dëshmitaret skanë lidhje me çështjen, ndër to janë 16 policë që janë pyetur për një bisht cigareje që është gjetur në vendngjarje. Me këtë listë dëshmitarësh që ne kërkojmë mos të pranohet. SPAK vetëm tërhoqi vëmendjen mediatike dhe prodhoi disa lajme, SPAK kërkon të krijojë iluzionin në publik se ka prova duke zgjatur çështjen”, tha ai.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka, u arrestua në korrik 2023 si anëtar i dyshuar i një organizate kriminale që kishte kryer ndër të tjera vrasje dhe pengmarrje.  Hetimi ndaj Gjokës filloi pas mbërritjes së një dosjeje nga Franca.

Ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit ka nëntë lloj akuzash për vepra penale, mes të cilave vrasje, korrupsion aktiv e pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Gjoka gjithashtu akuzohet për ‘Vrasje me paramendim’ të Gjin Ndoj (Boriçi), në 9 gusht të vitit 2020 në qytetin e Shkodrës.


Video