Dëshira e madhe e Selvisë dhe Zinit për të plotësuar familjen e tyre me një fëmijë, u bë realitet. Birësimi i Sokolit solli lumturinë e munguar në shtëpinë e tyre, teksa familjarët dhe të afërmit e pritën me një festë të madhe ardhjen e tij, thonë ata në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë nga “E diela shqiptare” në Tv Klan. Emri i djalit ndryshoi në Gëzim, ashtu si ndjenja që ai kishte sjellë me vete, ndërsa me përkëdheli i thërrisnin Xhimi.
Rritja e shkollimi i tij ishin primare, Selvia dhe Zini ia përkushtuan jetën vetëm djalit të tyre të adoptuar. Madje, Selvia thotë se nuk e ndiente asnjëherë që ai ishte i tillë dhe nuk donte as ta dëgjonte nga të tjerët.
Pamundësia për të lindur një fëmijë i drejtoi Selvinë dhe Ziniun, drejt jetimores së Vlorës. Atje, u takuan me shumë fëmijë, por të gjithë të rritur, teksa kërkonin një që të mund ta rrisnin vetë.
Për t’iu plotësuar kërkesën, drejtoresha e institucionit nisi t’i drejtonte në dhomat e tij në kërkim të një djali apo një vajze. Selvia e kujton fare mirë momentin kur u njohën me një foshnje 7-muajshe, në rubrikën “Ka një mesazh për ty”.
Selvi: Na futi në një dhomë, ky djali që morëm ne e quanin Sokol, Berat domethënë që ishte djali. Ishte në një krevat të vetmuar, se kishin dalë, kishte edhe krevatë të tjerë, por si duket kishin dalë jashtë fëmijët e tjerë. Ky ishte shtrirë, djali…dhe nuk lëvizte as duar, as këmbë dhe kokën, ishte shtrirë kështu dhe kur vajtëm ne te krevati, e çoi kokën kështu, na shikoi dhe qeshi.
Ardit Gjebrea: Sa i vogël ishte?
Selvi: Ai, në bazë të që e morëm ne, ishte 7-muajsh, por në fakt ishte tamam si 40-ditësh, kaq fëmijë, as 2 kile jo. I thashë çoje nga krevati, edhe sikur mos të rrojë, unë do përpiqem me gjithë shpirt, me gjithë mundin tim, ishalla e sjell në jetë se i numëroheshin damarët e kokës, të krahëve, të trupit se edhe kokën e mbante kështu, nuk e ngrinte dot, s’kishte mundësi, ishte borë i bardhë në fytyrë. I thashë ky do të jetë fëmija jonë, apo jo, i thashë bashkëshortit. “Po” tha. Ky e merr i pari në krahë, atij sikur i dha Zoti fuqi a nuk e di, që i hapi krahët dhe i çoi mbi supet e bashkëshortit, pastaj e mora unë në krahë. Ma mori djalin ajo atje, e lidhi djalin, më dha çarçafë në atë kopanecin e bukur që kisha përgatitur unë, kot e bëra.
Selvi: Vuajta që e bëra Xhimin që e rrita. U bë një djalë i mrekullueshëm.
Ardit Gjebrea: Menduat ndonjëherë që t’i thonit?
Selvi: Kurrë në jetë.
Ardit Gjebrea: Nuk e menduat?
Selvi: Nuk e menduam asnjëherë dhe nga shpirti nuk e dëshiroja kurrë. Kush më thoshte që “kam marrë e këtë fëmijë e ke të marrë”, ndoshta është turp ta thuash, isha gati ta mbysja, nuk e paramendoja që unë Gëzimin e kisha të marrë. Nuk doja ta dëgjoja nga asnjë.
Ardit Gjebrea: Ai u bë djali yt.
Selvi: Po.
Ardit Gjebrea: Në çdo kuptim dhe kur shkon fëmija 7-8 vjeç në shkollë fillojnë flasin, kur del në fshat apo në lagje…
Selvi: Gëzimit asnjëri nuk ia tha.
Ardit Gjebrea: Nuk ia tha asnjeri?
Selvi: Asnjeri. Edhe për respekt. Faktike Xhimi tani po bën që e ka marrë vesh.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç është Gëzimi?
Selvi: Sot Gëzimi është 31 vjeç.
Ardit Gjebrea: Në çfarë moshe e mori vesh, para sa vitesh?
Selvi: Po bën një vit Gëzimi që e ka marrë vesh. Kur e martova Gëzimin, unë ia thashë nuses se kam një nuse… në fund fare është nuse, por e kam gjithçka. Motër, nënë, shoqe, nuk e llogaris dot se çfarë nuseje kam në shtëpi.
Ardit Gjebrea: Ti i the nuses së Xhimit që “thuaja ti Xhimit që është i birësuar”.
Selvi: Po. Ajo s’ia tha asnjëherë.
Ardit Gjebrea: Domethënë ti më përpara ia the nuses sesa djalit. Si reagoi nusja kur e mori vesh që nuk është djali juaj?
Selvi: Nusja faktike tha që “mami ti po më thua por unë nuk kuptoj asgjë që ky nuk është djali juaj, por unë nuk mund t’i them dot, nuk marr guxim, më duket se e ndaj nga juve, nuk mundem”.
Ardit Gjebrea: Po kush ia tha?
Selvi: Si përfundim Xhimi ishte në një lokal në kafene, ia thotë njëri me spond, se ia thotë, se bisedojnë që nuk është i Ziniut, që e kanë marrë, nuk e di, por aty e merr vesh. Kur vjen në shtëpi pastaj e përjetoi një çikë keq. Nejse, unë i falem Gëzimit për këtë gjë. Jo se nuk na respekton, jo se nuk na do, nuk bëhet fjalë, por që unë i kërkoj një falje shumë të madhe që nuk ia thashë. Nuk ma bënte shpirti, nuk ma bënte zemra, nuk reagoja dot se nuk e ndaja dot. Xhimi u rrit, na ndihmonte, unë s’ia hedh kurrë poshtë punën dhe mundimin. Neve të dy, bashkë me Ziniun, s’di si ta them, s’di si ta shpjegoj, është pasuria jonë deri në vdekje, Ardit.
Ajo çfarë nuk pritej në këtë pjesë të “E diela shqiptare” në Tv Klan, është reagimi i Gëzimit që habiti të gjithë studion e “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ai rrëfeu se ishte në dijeni të së vërtetës se është i adoptuar që prej moshës 18-vjeçare, ndryshe nga ç’mendonin Selvia e Ziniu se e kishte zbuluar vetëm një vit më parë.
Gëzimi nuk është kundër idesë për të takuar nënën e tij biologjike, por për të kjo nuk ndryshon asgjë në raportin me prindërit adoptues. Ngrohtësia e tyre ka qenë arsyeja pse ai ka heshtur për 12 vjet. Për të plotësuar kërkesën e Selvisë dhe Ziniut, programi “E diela shqiptare” ka kërkuar rrënjët e Gëzimit dhe rezultatin e kësaj, e paraqet moderatori Ardit Gjebrea.
Ardit Gjebrea: Ne nuk dimë detaje dhe ti e di që kush troket tek “E diela shqiptare”, nëse ka një kërkesë, i plotësohet. Dhe ne jo kërkesën tënde, por kërkesën e prindërve të tu, i kemi shkuar deri në një farë mënyre afër që do të thotë e kemi gjetur nënën tënde biologjike.
Mirëpo ne jemi shumë të kujdesshëm, që do të thotë, çdo grua, çdo burrë, çdo familje ka historinë e vet dhe ne nuk ndërhyjmë në asnjë moment në momentin që ata nuk dëshirojnë që të bëhet publike asgjë. Dhe historia e nënës tënde, për aq sa unë mund të them, është e tillë që ajo ka krijuar një familje të re dhe as bashkëshorti e as fëmijët nuk e dinë ekzistencën tënde. Ajo nuk e ka treguar asnjëherë.
Sigurisht që janë histori dashurie të cilat nuk përfundojnë mirë dhe kushtet e atëhershme, sepse ti tashmë je 31 vjeç djalë, kështu që llogarit që kanë qenë vite të vështira dhe nuk kemi hyrë në hollësira për të kuptuar çfarë ka ndodhur. Dhe momenti i parë ka qenë shumë tronditës për të, por imagjino në një familje që nuk dinë asgjë. E kanë ditur vetëm prindërit e saj të cilët nuk jetojnë më dhe askush nuk e di këtë histori.
Megjithatë, ajo jeton diku në Shqipëri dhe sigurisht që ka dëshirë edhe të të takojë. Ne do krijojmë mundësinë që ju të takoheni, por lejo që të diktojë ajo se çfarë do ndodhë, si do ndodhë për të rregulluar edhe atë marrëdhënie që ka. Por, sidoqoftë aromën do donte që të ta merrte. Çfarë ndien?
Gëzim: Jam pa fjalë.
Ardit Gjebrea: Nuk dimë asgjë për babain tënd, thjesht dimë që nëna jote biologjike ka një familje, është e martuar, ti ke vëlla, motër, tashmë, por është një vendim i juaji se si do donit të shkonte përpara kjo histori. Do donit ta mbanit vetëm ju të dy për veten tuaj, do donte që një ditë të prezantonte me gjakun tënd, do të kishte kurajë për bashkëshortin që t’i tregonte, këtë nuk e di.
Nuk dua që të jap asnjë të dhënë, as qytetin ku jeton, është në veri, është në jug a është në Shqipërinë e Mesme, asgjë sepse respektojmë edhe njëherë dëshirën dhe vendimin e saj, por, të paktën, ti do takohesh me të.