
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme kryeqytetin. Katër persona mbetën të plagosur me armë zjarri, ku mes tyre dy janë të mitur (Arens Stafa 34-vjeç, Kian Mullahi 19-vjeç dhe Marko dhe Dior Demiraj 17 dhe 11 vjeç)
Atentati ka ndodhur afër Tregut Agro-ushqimor në Lundër, teksa është qëlluar me breshëri plumbash në lëvizje për disa kilometra.
Ndërkohë detaje të reja bëhen të ditura ditën e sotme. 17 vjeçari Marko Demiraj ka ardhur nga Londra, aty ku studionte për të festuar ditëlindjen e vëllait të vogël në një lokal në Lundër, por rrugës për shtëpi kanë rënë pre e një atentati.
Mësohet se mbi 20 gëzhoja janë gjetur nga policia, teksa lidhur me autorët uniformat blu nuk kanë ende asnjë shenjë.
Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Traumës ku po marrin ndihmë mjekësore. Tre prej të lënduarve janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa i mituri 11-vjeçar paraqitet në gjendje më të rëndë pasi plumbat i kanë prekur organet jetësore.
Të plagosurit të cilët kanë kaluar rrezikun për jetën janë marrë në pyetje nga ana e policisë dhe kanë deklaruar se nuk kanë pasur ndonjë konflikt.
Burime policore bëjnë me dije se makina që u sulmua ishte e bashkëshortes së pronarit të "Pelikan Security". Të njëjtën makinë, por që i ndryshon vetëm një germë te targa e përdor dhe një personazh i botës së krimit. Për këtë arsye policia ka dyshime që mund të kemi të bëjmë me një ngatërrim të objektivit, teksa ende nuk ka një pistë konkrete.
Mungesa e kamerave të sigurisë vështirëson punën e policisë. Dyshimet janë se kemi të bëjmë me një automjet tjetër tip Fouristradë që është përdorur nga autorët, por policia ka dyshime që mund të jetë përdorur edhe ndonjë motor.
“Më datë 17.04.2025, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës, kanë shkuar dyshohet të plagosur me armë zjarri në Lundër, shtetasit A. Stafa, 34 vjeç, K. Mullahi, 19 vjeç, dhe dy të mitur të moshës rreth 11 vjeç dhe 17 vjeç”, njoftoi policia mbrëmjen e djeshme.