Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja/ Burg përjetë për Redjan Rrajën, 35 vite për Arjol Halilajn!

25 July 2023, 18:09Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja/ Burg përjetë për Redjan
Redjan Rraja, Arjan Ndoja

Gjykata e Posaçme ka dënuar me burg përjetë Redjan Rrajën me akuzën se ka qenë një nga ekzekutorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Landi Muharremi.Ndërkohë, GJKKO ka dënuar me 35 vite burg edhe Arjol Halilajn, i cili sipas SPAK ka pasur rolin e ndihmësit për të larguar autorët nga vendi i ngjarjes. Po ashtu edhe SPAK në pretencë kishte kërkuar të njëjtin dënim për Rrajën dhe Halilajn.

Rraja do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat "Vjedhja", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit'', "Vrasja e funksionarëve publikë", "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", “Grup i strukturuar kriminal”.

Në seancën e 31 majit 2023, SPAK renditi provat e mbledhura ne vendin e ngjarjes, por edhe ato të sigurua nga zbërthimi i dy telefonave të Redjan Rrajës. Sipas akuzës, nipin e ish-deputetit të PS-së e implikon AND-ja e gjetur në një palë syze "Emporio Armani" me inicialet e tij, të gjetura në makinën e autorëve, por edhe elementët biologjikë në rroba, kapele e një palë doreza ngjyre te zezë. Për prokurorinë, zbërthimi i dy telefonave dhe transkriptimi i komunikimeve me platformën SKY ECC, janë të tjera provat që implikojnë të akuzuari në atentatin e ndodhur tek Ura e Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës. Nga transkriptimi i komunikimeve mes anëtarëve të grupit, janë evidentuar terma si "bidon", "benzin", "autostradë", "Arjani" etj, që korrespondojnë me veprimet, planin dhe lëvizjet e autorëve".

Atentati ndaj Arjan Ndojës
Ngjarja e rëndë ndodhi në 1 nëntor të vitit 2019. Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur. Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.


Video