Protestuesit e opozitës kanë sulmuar me molotovë qendrën ndërkombëtare të artit ArtExplora Vila 31, që njihet ndryshe edhe si vila e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar sulmin si një akt terrori ndaj kulturës dhe qytetërimit shqiptar.
Sipas tij, ky nuk është thjesht opozitarizëm, por një agresion i hapur ndaj një institucioni që përfaqëson lirinë e mendimit, artin dhe kreativitetin ndërkombëtar në vend.
“Është absolutisht revoltuese të shohësh se si verbëria politike e një opozite të dëshpëruar nuk ndalet para asgjëje, duke lëshuar masivë molotovi mbi një godinë ku brenda ka artistë, njerëz, jetë dhe krijimtari!”, thotë Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale, krahas fotove para dhe pas kësaj proteste.
Ministri thekson gjatë incidentit, brenda vilës ndodheshin 12 artistë. Shumica e tyre, të huaj dhe pjesë e programeve sociale dhe rezidencave artistike të ArtExplora, por fatmirësisht pa pasoja.
Ai paralajmëroi se shteti do të ndjekë penalisht përgjegjësit dhe nuk do të lejojë që dhuna politike të pengojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.