Hetimet mbi vrasjen e biznesmenit-politikan Ardian Nikulaj janë kthyer në pikën zero, pasi dyshimet se vrasësi është larguar me mjetin “Land Rover Discovery” në pronësi të një italiani, kanë rënë.
Policia e Lezhës pas gjetjes së mjetit që dyshohej se transportoi motorin e vrasësit, ka shoqëruar dy turistët (një burrë dhe një grua). Pas intervistimit të këtyre të fundit, blutë e Lezhës kanë përjashtuar mundësinë që ata mund të jenë bashkëpunëtorë dhe janë lënë sërish të lirë.
“Kemi ardhur në Shqipëri për turizëm. Kemi marrë një shtëpi me qira në fshatin Kukël. Nuk kemi lidhje me ngjarjen”, kanë thënë ata.
Pas rrëzimit të këtyre dyshimeve, ende nuk dihet se si ka humbur gjurmët autori dhe kush e ka larguar bashkë me motorin e tij, pasi kreu krimin.