Grushti ndaj Berishës, policia njofton dy akuzat që rëndojnë mbi Gert Shehun

7 December 2022, 15:15Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Grushti ndaj Berishës, policia njofton dy akuzat që rëndojnë
Berisha dhe Gert Shehu

Policia e Tiranës ka dalë me një komunikatë zyrtare lidhur me masën "arrest me burg" që i caktoi Gjykata e Tiranës, 31 vjeçarit Gert Shehu, i cili goditi me grusht ish-kryeministrin Sali Berisha para protestës së djeshme në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".

Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se mbi Gert Shehu rëndojnë akuzat për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje.

Njoftimi:

Strukturat e posaçme të Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës, të DVP Tiranë, dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ngjarjen e ndodhur më datë 06.12.2022, arrestuan në flagrancë shtetasin:

Gert Shehu, 31 vjeç, banues në Tiranë, për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka goditur me grusht në fytyrë, deputetin Sali Berisha, duke i shkaktuar dëmtime fizike, gjatë kohës që ai po lëvizte me këmbë, në bulevardin Zhan D’Ark, në drejtim të vendit ku do të zhvillohej protesta e planifikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Video