
Në qytetin e Nju Jorkut në vitin 1920, gati dy vjet pas shpërthimit të pandemisë vdekjeprurëse të gripit spanjoll, që mori jetën e të paktën 50 milionë personave në mbarë botën, viti i ri filloi me optimizëm.
"Raporti më i mirë shëndetësor për qytetin në 53 vjet", krenohej me një titull “New York Times” më 4 janar 1920, pasi Nju Jorku u kishte mbijetuar tre valëve shkatërruese të virusit të gripit. SHBA në total, i regjistroi 675,000 njerëz të vdekur nga sëmundja dhe autoritetet besonin se më në fund, këtij tmerri i kishte ardhur fundi.
Megjithatë, brenda pak javësh, ata tituj optimistë filluan të ndryshojnë. Para fundit të muajit, Nju Jork do të përjetonte një rritje të rasteve të gripit. Çikago dhe qendrat e tjera urbane raportuan të njëjtën gjë.
Banorët duhet të përgatiten për një "kthim të gripit", paralajmëroi komisioneri shëndetësor i Nju Jorkut, Royal S. Copeland. Ai parashikoi që varianti i virusit përgjegjës për rritjen e rasteve të reja do të ishte më i butë dhe se ata që ishin sëmurë vitin e kaluar do të ishin imunë ndaj tij. Por e kishte gabim, të paktën pjesërisht. Ndërsa shumë vende në mbarë botën nuk panë një valë të katërt të pandemisë së madhe të gripit, disa metropole, duke përfshirë qytetin e Nju Jorkut, Çikagon dhe Detroitin kishin një tjetër sezon vdekjeprurës.
Sot, ndërsa pandemia e koronavirusit zvarritet në vitin e saj të tretë dhe numri i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara arrin në 900,000, pandemia e gripit e vitit 1918 mund të ofrojë njëfarë pasqyre se si mund të mbyllet ky kapitull i historisë. Por "mbarimi", kur bëhet fjalë për viruse të tilla si këto, është një koncept i rrmë . Përfundimisht, thonë ekspertët, koronavirusi i ri ka të ngjarë të kalojë nga një patogjen vdekjeprurës dhe shkatërrues në një shqetësim më të butë dhe sezonal.
Megjithatë, përvoja e botës një shekull më parë sugjeron se ne mund të kemi shumë më tepër dhimbje e vuajtje, veçanërisht nëse e ulim vigjilencën.
Gripi i vitit 1918 zgjati shumë përtej vitit 1918. Dy vjet pasi filloi, pikërisht në kohën kur zyrtarë si Copeland po shpallnin fitoren dhe qytetet po lehtësonin kufizimet, një valë e katërt goditi disa pjesë të vendit, duke sjellë raste të reja që i shtynë disa spitale në prag të kolapsit dhe la shumë qytetarë të tjerë të vdekur.
Virusi nuk dukej aq kërcënues kur filloi: vala e parë në pranverën e vitit 1918 ishte relativisht e butë. Por ajo u kthye hakmarrëse në vjeshtë, me siguri pasi virusi kishte pësuar mutacion. Kjo valë e dytë goditi mbarë botën. Në Perëndim, makinat e transportit u shndërruan në mjete arkëmorti dhe priftërinjtë nisën të mblidhnin trupat e pajetë me karroca me kuaj.
Vetëm gjatë valës së dytë, më shumë amerikanë u vranë nga gripi sesa vdiqën në Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë Botërore, Luftën Koreane dhe Luftën e Vietnamit të marra të gjitha së bashku.
Pandemia e gripit duket se preku veçanërisht të rinjtë, për arsye që historianët dhe shkencëtarët ende po debatojnë. Kur mbërritën rastet e para të regjistruara, Lufta e Parë Botërore ishte ndezur dhe kushtet e ngushta të llogoreve nënkuptonin që virusi mund të kalonte me shpejtësi nga ushtari në ushtar dhe në spitalet fushore ushtarake shpesh përshpejtohej përhapja e tij. Ekspertë të tjerë kanë sugjeruar se njerëzit në të 20-at dhe 30-at e tyre kishin më pak gjasa të kishin imunitet të mëparshëm ndaj viruseve të ngjashme të gripit.
Virusi uli jetëgjatësinë mesatare në Shtetet e Bashkuara me më shumë se 12 vjet. Sipas historianit Xhon M. Barri në librin e tij “Gripi i Madh” deri në 10 për qind e të gjithë të rinjve në atë kohë kanë ndërruar jetë prej gripit.
Nga dimri i viteve 1919-1920, amerikanët ishin të lodhur nga kufizimet në jetën e përditshme. Pothuajse të gjitha kufizimet e shëndetit publik, të tilla si mbajtja e maskave, distanca sociale dhe mbyllja e shkollave dhe kishave u heqën. Një kthim i nxituar në tubime publike çoi në një rritje të numrit të rasteve. Politikanët fajësuan pakujdesinë e njerëzve për rishfaqjen e virusit dhe minimizuan seriozitetin e tij.
Vala e katërt nuk ishte lajm i faqes së parë ashtu siç kishin qenë pikat e mëparshme. Mbulimi shpesh kalonte në paragrafë të vegjël thellë brenda gazetave, duke raportuar mijëra raste të reja në baza javore apo edhe ditore. Në shkurt të vitit 1920, pati një epidemi në një burg shtetëror në Nju Xhersi dhe disa gjykata u detyruan të ndalonin procedurat për shkak të sëmundjes.
Një mjek i shkroi një letër redaktorit në “New York Times” në dimrin e vitit 1920, duke iu lutur njerëzve që të shmangnin "ekspozimin e panevojshëm ndaj gripit" përmes kontakteve të panevojshme shoqërore. Mjeku paralajmëroi se kushdo që vizitonte dikë që ishte i sëmurë ishte më pas "i aftë të përhapte sëmundjen te çdo person tjetër që mund të kishte shpëtuar pa u infektuar, duke mbingarkuar kështu spitalet.
Por, nëse vala e katërt nuk arriti të gjeneronte në media llojet e titujve dhe frikës si paraardhëset e saj, kjo nuk ishte për mungesë vdekjeprurëse. Në qytetin e Nju Jorkut, më shumë njerëz vdiqën në periudhën nga dhjetori 1919 deri në prill 1920 sesa në valën e parë dhe të tretë, sipas një studimi kërkimor mbi vdekshmërinë nga gripi në qytet. Detroit, St. Louis dhe Minneapolis përjetuan gjithashtu valë të rënda të katërta dhe vdekshmëri e lartë u raportua në shumë qarqe në Miçigan për shkak të gripit.
Viruset e gripit dhe koronaviruset janë gjenetikisht të ndryshëm, kështu që nuk mund të bëhet një krahasim i plotë mes pandeminë së vitit 1918 dhe kësaj aktuale. Por, teorikisht shembulli i një shekulli më parë na udhëzon që të mos ulet vigjilenca dhe nxitohet drejt normalizimit të parakohshëm.
Burimi Washington Post, përktheu Voxnews.al