Qindra shqiptarë kanë humbur jetën në det, në përpjekjet e dëshpëruara me gomone drejt të ashtuquajturës tokë e premtuar. Disa ngjarje kanë shënjuar jetën e të gjithë shqiptarëve.
Në puntatën e kësaj të mërkure, Inside Story ka sjellë detaje të reja nga ngjarja e zhdukjes së 32 djemve të rinj dibranë në vitin 1996, të dyshuar se u zhdukën në det.
Familjarët ende nuk pranojnë t’i heqin nga gjendja civile duke ngritur mjaft dyshime për fatin e vërtetë të djemve të rinj të Maqellarës.
Historia e dhimbshme, iu zhduk djali 27 vite më parë, e ëma ruan ende kostumin
Këtë kostum, Shahije Beca, nga Maqellara e ruan me fanatizëm që nga viti 1996. Kohë kur djali i saj Fatosi, vetëm 25 vjeç, hipi në skaf për të shkuar drejt Italisë. Por nuk mbërriti kurrë.
“Dy furgona me djem, 32 djem janë nisur për Vlorë për bukën e gojës dhe djali im bashkë me ta. Ishin pa dokumente, telefon jo, ata kishin me vete vetëm rrobat e leckosura, kishte shumë pak plaçka të vjetra me vete”, u shpreh Shahije Beça.
Në atë mjet lundrues ishin 29 dibranë dhe 3 skafistë, për të cilët nuk dihet asgjë prej 9 marsit 1996. Familjarët nuk kanë asnjë lajm prej tyre, asnjë shenjë nëse fati i tyre përfundoi në ujrat e Otrantos apo jo.
Shahije Beça, 82 vjeçe nga fshati Vojnikë, pret një përgjigje prej 27 vitesh për djalin e saj. Ajo feston në heshtje ditëlindjet e të birit të zhdukur dhe refuzon të mendojë çdo skenar tragjik.
“Ia festoj ndonjëherë, ia festoj jerm”, u shpreh Shahije Beça.
Për atë që njihet si Tragjedia e Maqellarës, është folur pak ose aspak. Të rinjtë e moshës 18 deri në 35 vjeç, u panë për herë të fundit nga familjarët tek furgonat që i transportuan drejt Vlorës mëngjesin e 9 Marsit 1996. Sipas raportimeve, ata hipën atë mbrëmje në skaf dhe prej atëherë asgjë nga fati i tyre.
Gjurim Maksuti nga fshati Vojnikë në Maqellarë, në këtë skaf kishte dy djemtë 18-vjeçarë të së mostrës. Nëna e tyre, ndërroi jetë pa mësuar kurrë të vërtetën për djemtë.
“Ndodhen sot e 26 vjet pa marrë asnjë lajm. Bashkë me to janë 32 dibranë, dhe në atë kohë dhe ato u nisën nga Vlora me skaf, kanë hip në të dhe që atë ditë ne nuk kemi pas më lajm prej tyre”, u shpreh Gjurim Maksuti.
Por, çfarë ndodhi në këtë udhëtim misterioz?
Ajo që dihet është fakti se skafi ishte blerë i ri dhe kishte mbërritur në Vlorë po atë ditë nga Italia. Mjetin e ka marrë përsipër ta drejtojë Qemal Veizi, vëllai i pronarit të skafit.
Në mëngjes, kur skafi nuk u kthye, vëllezërit e skafistit filluan të shqetësohen. Menjëherë kontaktuan me njerëzit e tyre në Itali, të cilët u thanë se nuk kishte mbërritur asnjë skaf. Kontaktuan me Guadia di Finanza nëse përgjatë asaj nate kishin kapur ndonjë skaf, por sërish morën përgjigje negative. Atëherë ato dolën vetë në kërkim, me një peshkarexhë që kishin në pronësi, por nuk mundën të gjenin asnjë shenjë.
E vetmja shtëpi që ka hapur dyert e mortit dhe ka një varr ku e qan të birin është familja e Sulejman Qokut, nga fshati Kllopçisht i Maqellarës. Trupi i tij u gjend në Itali, dy ditë më pas, dhe dyshohet se ishte në skaf me dibranët e tjerë.
“Shkonte tek varri i Sulës dhe i thoshte: O Sulë ti e di ku është djali im, ma trego ku është im bir. Ai ishte i vdekur, por nga dhimbja”, u shpreh Gjurim Durici.
Çfarë ndodhi me 32 djemtë e Maqellarës? Deputeti i Dibrës rrëfen se çfarë i thanë italianët
Agron Qoku, asokohe deputet i Dibrës e ka ndjekur këtë ngjarje hap pas hapi. Ai, kishte humbur kushëririn e tij Sulejmanin.
“Kam qenë në kuvend kur e kam marrë vesh ngjarjen, vjen një njoftim që në Vlorë është gjendur kufoma e Sulejman Qokun e kisha kushëri. Dita ishte me stuhi, mësova se ishin 32 persona sërish kam shkuar në Itali me një oficer të Interpolit dhe të vëllain ku identifikuan kufomën e Sulejman Qokut” u shpreh Agron Qoku, ish deputet i Dibrës
Asokohe thuhet se u krye një kontroll sipërfaqësor nga pala italiane, por pa mundur të gjendet gjë.
“Pas 6 javësh vjen një fonogramë nga Italia, ishin gjetur në rrjetat e peshkatarëve trupat e pajetë të 4 personave…dhe u përpoqëm të gjejmë dokumente identifikimi apo monedhë shqiptare, bëmë fotot, por asnjë njeri prej tyre nuk njohu dot ndonjë të afërm. Ishte e vështirë, më pas di që bënë një kërkim të plotë në det, por se sa thellë nuk di të them pasi ndoshta ka qenë e pamundur që asokohe të kërkohej me shumë thellë”, u shpreh Agron Qoku, ish deputet i Dibrës.
Lajmi tragjik u përcoll vetëm me një kronikë të thjeshtë në atë kohë. Vendi ishte përfshirë nga ethet e zgjedhjeve parlamentare të majit 1996. Familjarët pretendojnë se tragjedia e tyre u neglizhua.
“Ne s’jemi ndaluar asnjë ditë, dhe dera jonë e hapme ishte vetëm tek Safet Zhulali, ministër i mbrojtjes dhe deputeti jonë Agron Qoku. Ministri i brendhsëm na jepte premtime por ende asgjë”, u shpreh Gjurim Maksuti, familjar.
“Shteti nuk ka vepru mirë në këtë drejtim, sepse nuk më ka dhënë asnjë përgjigje. Thuaj çfarë të dish, jo tërhiqu rranxave dhe fshihu prej familjarëve, se ka bo kush. Kjo ngjarje nuk ka vaki edhe në botë. Unë jam 82 vjeçe dhe të humbin 32 yjë pa nam pa nishan, vetëm ne na ka bërë vaki” u shpreh Shahije Braç, familjare.
Në maj të vitit 1996, pas një kërkese të autoriteteve shqiptare, një fregatë italiane zhvilloi një kërkim të thelluar në det, por pa mundur të gjejnë gjë.
“Sollën kasetën dhe e pamë dhe na thanë që fregata italiane e ka kontrolluar detin dhe në det nuk ka gjë. Atëherë lind pyetja, nëse në det nuk janë, atëherë ku janë? Se po të kishim një përgjigje ishte mbyll çështja” u shpreh Gjurim Duriçi, familjar.
“Është e pamundur të gjendet një shenjë pas katër muajsh. Unë do të thoja që edhe një javë është shumë. P.sh kur u mbyt Reina 1 në tetor 2011, u mbyt për 3 minuta e 15 sekonda dhe 24 orë pas mbytjes së saj erdhi një fregatë turke për të kërkuar të mbijetuar dhe nuk gjeti asnjë”, u shpreh Artur Meçollari, ish-shef i Shtabit i D2D.
Zhdukja e djemve të Maqellarës/ Familjarët ende shpresojnë se mbahen në burg në Greqi
Familjarët besojnë fort një skenar tjetër që shkon në kufijtë e një thrilleri. Ata janë të bindur se djemtë e tyre janë kapur peng në ujrat greke dhe kanë zëvendësuar disa të burgosur, të arratisur nga burgu i Korfuzit në 10 mars 1996. Ata besojnë se këta djem janë ende të gjallë në një burg të sigurisë së lartë në Korfuz
“Ata janë te mendimit se skafi nuk eshte mbyt, por jane te kapur peng. Ku bazoheshin ato që skafi nuk ësHtë mbytur?Thonë që kanë pas ik nga burgu i korfuzit 17 vetë dhe ka qenë policia greke në kontroll dhe janë kapur, dhe pas dy javësh u ka ardh një vlonjat që u ka thënë se i kam parë te TV Mega dhe ata kanë festu, por kjo është një mister”, u shpreh Gjurim Duriçi, familjar
“Foli djali pas 4 muajsh, ka thënë djali, se skemi anjë presje. Kemi zëvendësu grupin e Zani Caushit”, u shpreh Shahije Beça, familjare
Banorë të tjerë të zonës që ishin emigrant në Greqi betohen se kanë parë familjarët e tyre të zbrisnin nga skafi, gjatë një operacioni policor të datës 10 mars 1996.
Edhe në këtë dokument të prokurorisë së Vlorës që “Inside Story” ka siguruar, thuhet se në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje, organi i akuzës ka bllokuar shkrime të ndryshme për këtë ngjarje.
Midis tyre është edhe një deklaratë e një grupimi për të drejtat e njeriut në Greqi, sipas të cilëve 29 shqiptarë, në mars të vitit 1996 janë arrestuar dhe nuk dihet ku ndodhen. Sipas prokurorisë kjo ngjarje koincidon me hapjen e burgut të Korfuzit. Familjarët dhe dëshmitari Engjellush Veizi, vëllai i skafistit, pretendojnë se personat që ndodheshin në këtë skaf mbahen në Korfuz. Përpara organit të akuzës këtë gjë e kanë konfirmuar edhe 4 dëshmitarë të tjerë. Mes dëshmive thuhet se shtetasi Fatos Beça, nga fshati Vojnik i Maqellarës, ka qenë dy vjet në punë në Maqedoni, ku ka dhe një dëshmi në një radio private të quajtur “Arze”. Thuhet se ky person ka qenë në skaf dhe në mungesë të telefonit celular ka njoftuar nëpërmjet kësaj radioje që janë shëndoshë e mirë.
Maliq Keshi i cili kishte të vëllanë 22 vjec në atë gomone, u nis drejt Greqisë. Ai kërkoi pranë televizionit nëse ishte transmetuar një kronikë të tillë, por Televizioni e mohoi një gjë të tillë. Ata janë lidhur me një detektiv privat, i cili është tërhequr pas dy muajsh.
“Me policinë private greke, ka shkuar deri në zbulim, pranuam edhe ofertën që do të paguanim kaq lekë ata na thanë mos u merrni më me këtë se është e rrezikshme” u shpreh Gjurim Duriçi, familjar
“Shteti nuk përgjigjet, ne na dëftonte të fundosmen, mirëpo për të fundos në asnjë mënyrë, se ata e ka deklaru djali vetë” u shpreh Shahije Beçaj, familjare
Mirëpo siç edhe e tregon ky dokument vetë autoritet greke mohojnë që të jenë në dijeni të kësaj ngjarje.
Apeli i ish deputetit: Ngjarja e Maqellarës mund të zbardhet vetëm nëpërmjet ADN-s së 4 trupave
Ish-deputeti Agron Qoku ka ende një peng nga e gjithë kjo histori. ADN-ja e 4 të mbyturve që u gjetën pak kohë pas ngjarjes në vitin 1996 nuk është bërë. Ndoshta, mund të hidhej pak dritë pasi identifikimi me foto për trupat e dekompozuar është i pasaktë.
“Kanë kaluar mbi 26 vjet dhe ata nuk dinë të vërtetën për fatin e familjarëve të tyre, jetojnë apo nuk jetojnë. As unë me informacionet që kam pasur dikut nuk jam në gjendje të them jetojnë apo nuk jetojnë. E vetmja mundësi që të zbulohet një pjesë e së vërtetë; mendoj se ka ardh koha që shteti të marrë përsipër të bëhet ADN-ja e katër trupave që u gjetën në vitin 1996, nëse ato ekzistojnë ende dhe në këto mënyrë të vërtetohet atëherë ato kanë qenë në atë skaf dhe fati i tyre është mbyll në ujrat e Otratos” u shpreh ish deputeti i Dibrës, Agron Qoku
“Nuk du me rru ma mas atij djali, por djegia është këtu moj ti bijë. Është kalb zemra moj ti bijë”, u shpreh Shahije Beça, familjare.