Gjyqi për Gërdecin/ Dëshmon ish-ministri Bumçi, Shkëlzen Berisha nuk paraqitet

14 December 2023, 12:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjyqi për Gërdecin/ Dëshmon ish-ministri Bumçi,
Aldo Bumçi dhe Shkëlzen Berisha

Sot u mbajt seanca e radhës në GJKKO për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen ‘Gërdeci’.

Në ambientet e GJKKO, në seancën që zgjati rreth tre orë ishte i pranishëm ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili është nën gjykim për shpërdorim detyre. Ai ishte i shoqëruar me njërin nga avokatët, Henrik Ligori.

Sot janë thirrur për të dëshmuar 7 persona të tjerë për Gërdecin. Sot dëshmoi dhe ish-ministri i Mbrojtjes Aldo Bumçi, i cili ka mohuar shënimin “Për Shkëlzenin”. Edhe lidhur me kallëzimin për falsitet e dëshmi të rreme nga sekretarja e tij, ka deklaruar se nuk është në dijeni çfarë është bërë.

Veç ish-ministrit Bumçi, dëshmoi edhe sekretarja e tij në atë kohë Alma Zili dhe Plarent Rruka, ish-këshilltari ligjor i Fatmir Mediut.

Aldo Bumçi: Ministria e Drejtësisë kishte një drejtori kodifikimi që merrej me aktet nënligjore dhe ligjet. Shkresat protokolloheshin dhe dërgoheshin me postë, ndonjëherë edhe me faks për të informuar sa më shpejt ministritë e tjera.

Ai u pyet edhe për faksin e datës 09.03.2007,  faksi “Për Shkëlzenin”

Aldo Bumçi: Nuk ka asnjë shkresë dërguar nga unë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ministri vetëm firmoste, më pas shkresa protokollohej dhe dërgohej drejt institucionit përkatës. Unë nuk kam dërguar asnjëherë asnjë faks në asnjë ministri. Mbas tragjedisë, disa muaj pas ngjarjes, u informova përmes mediave për faksin.

Me Shkëlzenin kam pasur takime të rralla, kryesisht jemi takuar në fushate zgjedhore dhe kemi pasur komunikim vetëm për këtë çështje, asnjëherë biseda për këtë akt, apo ndonjë akt tjetër. Shkëlzeni nuk punonte në Ministrinë e Mbrojtjes. Thonë që shkrimi lart është shkrimi im dhe unë kam bërë kallëzim penal për dëshmi të rremë dhe për verifikim të kaligrafisë. Ajo shkresë nuk qëndron, është e falsifikuar për të mbajtur gjallë një çështje politike.

Prokurori i çështjes kërkoi nga Gjykata që t’i drejtohet Prokurorisë Tiranë për kallëzimin e bërë nga Bumçi.

Alma Zili: Ministria kishte një aparat faksi, i cili përdorej për të përcjellë fakse, në rast se kishte. Nuk kujtoj të jetë shënuar emri i Shkëlzenit në bllokun e shënimeve, ku mbanim shënim orare të takimeve të ndryshme. Kur është dërguar faksi nga Ministria e Drejtësisë drejt Ministrisë së Mbrojtjes, unë nuk kam qenë fizikisht në punë. Dokumentin për faksin e kam parë përmes mediave. Ne thjesht na kërkohej të nisnim një faks drejt një institucioni të caktuar. Asnjëherë nuk më është kërkuar të komunikoj me Fatmir Mediun.

Shkëlzen Berisha, i cili ishte thirrur për të dëshmuar, nuk u paraqit dhe nuk u gjet në banesë nga policia gjyqësore. Sipas prokurorit, në dëshminë e parë Shkëlzen Berisha ka dhënë një tjetër adresë banese, ndërsa tashmë ka ndryshuar vendndodhje.

Ndërkohë do të dërgohet kërkesa në adresën e banesës, për t'u marrë në pyetje në seancën e radhës.

Seanca u shty për datën 27 dhjetor, në orën 09.00.


Video