Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masën “arrest me burg” ndaj dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash në aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Në seancën e sotme gjyqësore është vendosur që Malltezi të qëndrojë pas hekurave me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Po për të njëjtat akuza, GJKKO ka vendosur masën “detyrim paraqitje” dhe ndalim i lëvizjes jashtë shtetit për biznesmenin Fatmir Bektashi, duke marrë parasysh moshën e tij të thyer dhe problemet me shëndetin.
Avokatët e Malltezit kërkuan shfuqizimin e masës së sigurisë, duke pretenduar se klienti i tyre nuk kishte kryer asnjë vepër penale dhe se përfitimet nuk janë kryer në mënyrë të paligjshme.
Jamarbër Malltezi është parë në "kafazin e qelqtë" të gjykatës me një dosje voluminoze në duar
Seanca u shty dy herë gjatë ditë së sotme, për shkak se avokatët e palës mbrojtëse kërkuan që të njhen me dosjen hetimore.
Sakaq, ditën e nesërme në orën 14:00 në GJKKO është caktuar zhvillimi i seancës për marrjen në pyetje të ish-kryeministrit Sali Berisha i cili akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhëndrin e tij në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.
Ndaj Berishës, gjykata ka dhënë masën “detyrim paraqitje” dhe ndalim i lëvizjes jashtë vendit.

