Edhe Vlora si "Big Brother", çmontohen 16 kamera të vendosura nga grupet kriminale (VIDEO)

26 January 2023, 18:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edhe Vlora si "Big Brother", çmontohen 16 kamera të
Kamerat në Vlorë

Pas Shkodrës, operacioni policor i koduar “Fijet” është ekzekutuar ditën e sotme në qytetin e Vlorës për të çmontuar kamerat e sigurisë të vendosura në rrugët e qytetit nga grupet kriminale.

Autortetet bëjnë me dije se kanë çmontuar dhe sekuestruar 16 kamera, të dyshuara të lidhura me aparate celulare të shtetasve të ndryshëm, të cilat ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.

Këto kamera ishin vendosur nga grupet kriminale me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.

Kujtojmë se më herët janë çmontuar edhe 59 kamera të vendosur nga grupet kriminale në qytetin e Shkodrës dhe pritet që operacioni të vijojë dhe në qytete të tjera.

Policia ende nuk i ka identifikuar se kush i ka vendosur këto kamera pa leje në rrugët kryesore të qytetit.

Njoftimi:

Finalizimi i fazës së tretë të operacionit “Fijet”, rezultoi me çmontimin e 16 kamerave që kontrolloheshin nga kontigjenti kriminal, me qëllim informimin. Kamerat ishin vendosur në zona me frekuentim të lartë, në qytet.

Vijojnë hetimet në nivel qëndror dhe vendor, me qëllim identifikimin e shtetasve që i kontrollonin këto kamera, për qëllime kriminale.

Strukturat hetimore të DVP Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, në disa lagje të qytetit të Vlorës, me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë çmontuar dhe sekuestruar 16 kamera, të dyshuara të lidhura me aparate celulare të shtetasve të ndryshëm. Këto kamera ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" dhe përbën veprën penale "Ndërhyrje të padrejta në jetën private", që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.




Video