E rëndë në azilin e të moshuarve në Tiranë, 78-vjeçari vret me bastun shokun e dhomës: Pse më ke zënë krevatin

8 August 2024, 09:20Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

E rëndë në azilin e të moshuarve në Tiranë,

Një krim i rëndë ka ndodhur në azilin privat të të moshuarve në kryeqytet. Një 78-vjeçar i identifikuar si Zyhdi Shehi, ka goditur sot në orët e para të mëngjesit (8 Gusht) disa herë me bastun hekuri pas sherrit të çastit shokun e tij të dhomës, duke i shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme.

Policia konfirmoi ngjarjen e ndodhur rreth orës 04:00 dhe bëri me dije se viktima është Virxhil Vesho, 82 vjeç, i cili ka vdekur pas goditjeve dhe traumave në pjesën e kokës.

Paraprakisht mësohet se debati ka qenë banal, teksa autori e ka akuzuar shokun "pse i kishte zënë krevatin". Të dy të moshuarit sipas përfaqësuesve të azilit privat, vuanin nga skleroza.

Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po kryen hetimet, duke këqyrur skenën e krimit, marrë në pyetje autorin e arrestuar dhe mbledhur dëshmitë apo pamjet e kamerave të sigurisë.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, arrestuan në flagrancë shtetasin Z. Sh., 78 vjeç, banues në një azil privat, për të moshuarit, për veprën penale "vrasja me dashje", parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal”, njoftoi paraprakisht policia e kryeqytetit.
Teksa më tej jepen edhe detaje për dinamikën, duke shpjeguar se “krimi ndodhi sot rreth orëve të para të mëngjesit”.

“Për motive të dobëta, i dyshuari ka goditur disa herë me anë të një bastuni (shkop hekuri), shokun e tij të dhomës, shtetasin V. V., 82 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën”, sqaroi policia.
Hetimeve i është bashkuar edhe Prokuroria, teksa po verifikohen rrethanat dhe shkaqet e krimit të rëndë. Oficerët po marrin në pyetje 78-vjeçarin Shehi, për të zbuluar motivin konkret që e shtyu të godiste shokun e dhomës për vdekje.


Video