Ka ndërruar jetë turistja italiane e aksidentuar mesditën e sotme në afërsi të fshatit Lin në Pogradec.
Pavarësisht se është transportuar me helikopter për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, 31-vjeçarja Elena Radaelli nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të rënda.
Sakaq, Policia e Korçës ka vënë në pranga shoferin e mjetit “Benz”, 33-vjeçarin Artan Bali nga Lushjna, i cili e përplasi turisten italiane teksa ishte duke udhëtuar me motor.
Njoftimi i policisë së Korçës:
Vihet në pranga drejtuesi i automjetit, i përfshirë në aksidentin e ndodhur pasditen e sotme, si pasojë e të cilit ndërroi jetë drejtuesja e motomjetit.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pasditen e sotme, për një aksident rrugor ju informojmë se specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 33 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në aksin rrugor “Pogradec-Lin”, pranë fshatit Udënisht, Pogradec, duke drejtuar automjetin tip "Benz", është përplasur me një motomjet me drejtuese shtetasen italiane E. R., 31 vjeçe, banuese në Milano, Itali, e cila pas ndihmës mjekësore të marrë në spitalin e Korçës, u transportua në spitalin e Traumës Tiranë, ku ka ndërruar jetë.
Nga ana e Policisë po kryhen veprimet hetimore dhe po punohet për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.