Dyshime se mund të arratiset, çfarë po ndodh me Dritan Dajtin!

15 Korrik 2024, 14:19Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dritan Dajti

Është kthyer në një telenovelë seanca gjyqësore, për Dritan Dajtin, i cili pretendon se duhet të lirohet nga burgu, për shkak se ka përfunduar dënimin.

Drejtoria e Burgjeve ka refuzuar për të dytën ditë me radhë shoqërimin e tij, pasi ka dyshime dhe informacione se Dajti mund të arratiset. 

Për këtë shkak edhe seanca e sotme do të zhvillohet me video konferencë nga ambientet e burgut të Peqinit.

Ndërkohë, avokati i tij është shprehur se mos realizimi i prezencës fizike të Dajtit në seancë, është jo normale, pasi aktualisht janë 3800 policë burgjesh dhe 6 mijë policë rendi në Shqipëri.

“3800 policë burgjesh dhe 6 mijë policë rendi në Republikën e Shqipërisë, nuk shoqërojnë dot në gjykate një të dënuar. Ndërkohë që tek e njëjta gjykatë, në vitet 1999-2000, janë gjykuar në praninë e tyre në salle anëtarët e një sërë bandave”, u shpreh ai.

Pak ditë më parë Gjykata e Lartë vendosi rikthimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili më herët kishte përfituar nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 4 efektivëve të policisë.

Dritan Dajti ishte në prag të lirimit nga qelia, por Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg.

“Prishjen e vendimit nr.13, date 08.02.2019 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe lënien në fuqi të vendimit nr.95, datë 23.07.2014 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda”, thuhej në njoftimin e Gjykatës së Lartë që rikthyer në burg përjetë autorin e vrasjes së katër efektivëve të policisë.


Video