
Kryeprokurori Olsian Çela po raporton veprimtarinë vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme në Kuvend.
Sipas Çelës, gjatë vitit 2023 janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 456 autorizime dhe urdhra të prokurorit.
Për sa më sipër është mundësuar interceptimi për 2675 pajisje fundore në përdorim të 2492 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.
Sipas kryeprokurorit, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.
Në lidhje me skandalin e mikrokredive, ai tha se po hetohen persona, ndërsa janë dhënë edhe masa sigurie.
“Është një fenomen shqetësues. Janë disa kallëzime, ka vendimmarrje të prokurorëve që lidhen me to. Njëra është bërë publike ka pasur veprime të prokurorisë ku ka persona që janë duke hetuar ka dhe masa sigurie. Mbetet të shikohet si do vazhdohet me hetimin dhe gjykimin. Por secili rast ka prokuror që po heton çështjet ka dhe gjykatë që do bëjë vlerësimin. Ajo që i është kërkuar prokurorive, është nxitja e thellimit të hetimeve në të gjitha drejtimet aq sa i lejohet prokurorit të përgjithshëm”, tha Çela.