Dy standardet e SPAK/ Ahmetajn e merr në pyetje, kurse 36 personat e arrestuar për inceneratorët nuk i pyeti kurrë

21 Mars 2023, 12:43Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Arben Ahmetaj dhe Lefter Koka

Shënim: SPAK është sorollatur për muaj me radhë në hetimin e Arben Ahmetajt, megjithëse me pothuajse të njëjtat prova sikundër ato që rëndojnë ndaj ish-ministrit ka proceduar penalisht 36 persona të tjerë në dosjen e inceneratorëve.

Por, ky nuk është dallimi i vetëm që ngre dyshime për aplikimin e dy standardeve ndaj të hetuarve në këtë dosje. Dallimi tjetër lidhet me anën proceduriale të hetimeve.

Në rastin e Ahmetatj, SPAK-ut iu deshën disa muaj kohë që të ‘përpunonte’ të dhënat publike që provonin se ish-ministri ishte i lidhur me inceneratorët e të ngrinte ndaj tij tre akuza, atë për shpërdorim detyre, për korrupsion dhe pastrim të parave.

Megjithëse akuzat që rëndojnë ndaj Ahmetajt janë më të rënda se akuzat e ngritura për një pjesë të mirë të 36 personave të tjerë që sot janë nën hetim e në masë sigurie arrest me burg, sërish procedura nuk u ndoq e njëjta.

Në rastin e Ahmetajt SPAK ka marrë në pyetje të afërm të ish-ministrit, ndryshe nga sa veproi me personat e tjerë, zyrtarë e biznesmenë që janë marrë nën akuzë e burgosur në qeli vetëm mbi bazën e shkresave dhe akuzave, që në një pjesë të mirë të tyre hanë debat mbi logjikën e ngritjes së tyre.

Ndryshe nga Ahmetaj, as ata dhe as familjarët e tyre nuk u pyetën, por nën bujën mediatike të sponsorizuar ndoshta edhe pa dashje nga SPAK u prangosën e shkuan në qeli. Për Ahmetajn po ndiqet një tjetër standard, ai ku prokurorët e posaçëm po marrin në pyetje të afërm të tij, para se të vendosin nëse duhet arrestuar apo jo.

Ky është dallimi procedurial në të njëjtën dosjes, që SPAK duhet ta sqarojë dhe qartësojë se cili është standardi ligjor; ai kur 36 të akuzuar u morën nën akuzë pa u pyetur, apo ai i Ahmetajt?

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video