Kush është i arrestuari "Nectarios", që vrau shqiptarin në Greqi?

21 Mars 2023, 09:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Me precedentë penalë rezulton 23-vjeçari shqiptar i arrestuar për vrasjen e 40-vjeçarit Pëllumb Islami më 21 shkurt 2023 në Nea Ionia të Athinës.

Shqiptari, i cili përdor dy emra, Dhimitri dhe Nektarios, rezulton me precedentë penalë për “Vrasje nga pakujdesia”, “Gjobvënie”, “Shkatërrim prone”, “Kanosje me armë zjarri”, “Pranim dhe mbajtje të produkteve të veprës penale”, “Vjedhje në bashkëpunim”, “Vjedhje e mbetur në tentativë”.

“Nektarios” është arrestuar nga personat e sigurimit të Kypselit mesditën e 20 marsit.

Urdhri i arrestit ndaj tij për vrasjen e Islamit ishte lëshuar më 3 mars 2023 ndërkohë që në kërkim janë edhe 6 persona të tjerë, përfshirë edhe 34-vjeçarin nga Fieri, Elis Salaj.

Sipas burimeve policore greke, 2 prej 6 të kërkuarve rezultojnë të jenë arratisur në Shqipëri. Një tjetër person i përfshirë në ngjarje rezulton ende i paidentifikuar.

Vrasja e Pëllumb Islamit ndodhi në një lokal në Nea Ionia pas një shkëmbimi zjarri ndërmjet pjesëtarëve të një grupi kriminal shqiptar në Greqi me një person që ndodhej në shoqërinë e Islamit.

Si ndodhi takimi fatal dhe vrasja?

Hetimet e autoriteteve nuk kanë zbuluar asnjë lidhje mes sherrit të përgjakshëm dhe sulmit ndaj djalit të mitur të pronarit të kafenesë. Sipas informacioneve, një mik i pronarit kishte thirrur në biznes anëtarët e grupit për të identifikuar autorët me origjinë shqiptare, të cilët sulmuan dhe bënë për në spital djalin e shokut të tij.

Grupi hyri në dyqan dhe u drejtua drejt tavolinave VIP. Anëtarët e mafias kanë biseduar me pronarin dhe kur janë larguar janë ndeshur me anëtarët e një grupi rival që ndodheshin brenda dyqanit.

Dëshmitarët okularë raportuan se fillimisht filloi një përleshje dhe kërcënime intensive në gjuhën shqipe dhe më pas “Luanët” nxorrën armët që çuan në plagosjen vdekjeprurëse të hidraulikut fatkeq që ndodhej brenda lokalit.

Video