Konkursi për drejtimin e Shërbimit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është përfshirë nga dritëhije skandali për paracaktim të fituesit dhe mosrespektim të kritereve ligjore.
Në garë janë dy kandidatë, një kirurg dhe një mjeke onkologe, ndërkohë që sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM), kandidati për drejtimin e një shërbimi duhet të jetë mjek specialist në fushën përkatëse, në këtë rast onkolog.
Sipas burimeve pranë sistemit shëndetësor, ekzistojnë dyshime se fituesi i konkursit është përcaktuar paraprakisht, çka hedh hije mbi transparencën e procesit. Nëse këto pretendime konfirmohen, atëherë bëhet fjalë për një shkelje të rëndë të kritereve ligjore mbi të cilat bazohet përzgjedhja e drejtuesve të shërbimeve.
Ndërkohë që kandidatëve u kërkohen tituj akademikë, vite përvojë dhe paraqitja e një platforme zhvillimi 4-vjeçare, burimet ngrenë shqetësimin se kriteri themelor – të qenit specialist në fushën përkatëse – mund të anashkalohet.
Situata ka ngritur pikëpyetje mbi integritetin e procesit dhe rolin e institucioneve përgjegjëse.
Në këto kushte, pyetjet janë të drejtpërdrejta:
Kush po e shtyn këtë emërim ne shkelje te kritereve ligjore?
Dhe a ka dijeni Ministria e Shëndetësisë për një proces që rrezikon të kthehet në skandal publik?
Sepse kur bëhet fjalë për Onkologjinë, nuk është thjesht çështje karrigesh, por çështje jetësh dhe vendosjes së ligshmërisë në atë shërbim.